Edhe përkundër votimit të mosbesimit për një pjesë të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga ana e deputetëve, kryetari i këtij institucioni Aleksandar Kambovski thotë se dorëheqjet nuk janë zgjidhje. Sipas tij, prej 30 vjetësh po zbatohen reforma në sistemin gjyqësor, por nuk ka pasur rezultate konkrete, ndërsa besimi i qytetarëve në gjyqësor mbetet minimal. Kambovski thekson se duhet ndryshuar mënyra e realizimit të reformave dhe të sigurohet pavarësi financiare.
“Dorëheqjet nuk janë reforma. Këshilli Gjyqësor është pothuajse tërësisht i ndryshuar. Nëse vërtetë duam të bëjmë reforma, ato duhet të realizohen ndryshe: me ndryshime ligjore, me uljen e kohëzgjatjes së mandatit, me deprofesionalizimin e Këshillit Gjyqësor, të Këshillit të Prokurorëve. Ndryshimet personale nuk sjellin asgjë. Cila është garancia se anëtarët e rinj që do të vijnë do të jenë më të mirë?”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Ivan Xholev, tha se gjykatat përballen me mungesë të kuadrit dhe numër të madh lëndësh, si dhe financim të pamjaftueshëm.
“Mungesa e gjykatësve dhe e nëpunësve në shërbimet gjyqësore, si dhe mungesa e pavarësisë financiare, krijojnë probleme në përzgjedhjen e kuadrove. Siç e dini, çdo vit kemi rritje të numrit të lëndëve, ndërsa numri i gjykatësve dhe nëpunësve mbetet i ulët. Kjo nuk përputhet. Nëse duam një sistem gjyqësor efikas, duhet të investojmë në të, patjetër të investojmë në të”, tha Ivan Xholev, kryetar i Shoqatës së Gjykatësve.
Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor pritet të jetë gati deri në qershor të këtij viti dhe do të duhet të përfshijë edhe rekomandimet e Misionit Vlerësues. Ky ligj është pjesë e agjendës reformuese për sistemin gjyqësor, të miratuar nga Komisioni Evropian.
