Kina po përgatitet për një rritje të madhe të udhëtimeve gjatë pushimeve të festës së 1 Majit të këtij viti (nga 1 deri më 5 maj), me udhëtimet ndërrajonale që pritet të arrijnë afërsisht 1.42 miliardë, 4.5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, mësoi CMG-ja nga Ministria e Transportit.
Turizmi hyrës dhe dalës po njohin një rritje të madhe. Sipas Administratës Kombëtare të Imigracionit, pikat e kontrollit kufitar të vendit parashikohet të trajtojnë mesatarisht 2.15 milionë hyrje-dalje në ditë gjatë periudhës së festës, 27 për qind më shumë se një vit më parë.
Vetëm në pikat e kontrollit të imigracionit në Hangzhou, trafiku ndërkufitar i pasagjerëve pritet të arrijë në 97 600, me shtetasit e huaj që përbëjnë një pjesë në rritje. Më shumë se 21 500 udhëtarë ndërkombëtarë pritet të kalojnë nëpër pikat e kontrollit, duke u shtuar 51 për qind në krahasim me vitin 2024. Midis tyre, 16 500 janë turistë hyrës, 47 për qind më shumë se një vit më parë.

Sipas ekspertëve, rritja e udhëtimeve hyrëse ka ardhur falë zgjerimit të politikave së heqjes së vizave nga ana e Kinës. Vincent Chow shkruan në një artikull të botuar në “The Diplomat” se rregullat e lehtësuara të hyrjes kanë luajtur një rol kyç në tërheqjen e vizitorëve të huaj përsëri në Kinë.
Prirja pozitive pasqyron gjithashtu optimizmin në rritje në sektorin e turizmit. Një raport nga “Morgan Stanley” parashikon se Kina mund të trefishojë të ardhurat e saj globale nga turizmi, në mbi 500 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2033, nga 131 miliardë dollarë në vitin 2019. Turizmi hyrës mund të kontribuojë deri në 4 për qind të ekonomisë kineze brenda dekadës së ardhshme, nga pak më pak se 1 për qind.
