Për ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti ka falënderuar ambasadoren e SHBA-ve, Angela Aggeler, për siç tha, mbështetjen e vazhdueshme. Mexhiti tha se prania e ambasadores në vendosjen e gurthemelit është dëshmi se partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve nuk është vetëm në letër. Me ndërtimin e kësaj autostrade, Mexhiti tha se po krijohet mundësia e kthimit të të rinjve në Maqedoni.
“Më lejoni të falënderojë sinqerisht ambasadoren e SHBA-së, zonjën Aggeler për mbështetjen e saj të vazhdueshme. Prania e saj sot është dëshmi për partneritet strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është vetëm në letër por është edhe në çekan, beton dhe në çelik, në punë dhe investime. Me ndërtimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive dhe investimeve. Po krijojmë mundësi që t’i kthejmë fëmijët në shtëpi”, tha Mexhiti.
Mexhiti falënderoi edhe Bechtel Enka që siç tha, pa vizionin e tyre, ky projekt nuk do të ishte bërë realitet.
“Falënderoj ekipin e Bechtel Enka pa ekspertizën tuaj, ky vizion nuk nuk do të ishte bërë një fakt konstruktiv. Nuk po ndërtojmë vetëm një autostradë, por po ndërtojmë besim”, tha Mexhiti.
