Te Milani po përgatitet sfida ndaj Genoa, por mendja qëndron edhe te finalja e Kupës së Italisë. Megjithatë, Sergio Conceição e mban tensionin lart, duke kërkuar vazhdimësi taktike dhe përgjigje mbi formën fizike të disa lojtarëve. “Jovic është më mirë, ka bërë tri stërvitje me ne, – tha trajneri kuqezi në konferencë. – Abraham është ndalur për një problem fizik. Nuk janë të disponueshëm si ai, Bondo dhe Sottil”.
Genoa-Milan si hap drejt Kupës së Italisë?
Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, punojmë gjatë javës për të përmirësuar lojën dhe disa aspekte të saj. Duam të jemi një skuadër më e fortë. Tani fokusi është te Genoa dhe pastaj te dy ndeshjet me Bologna.
Ky formacion ofron më shumë garanci?
Po punojmë mbi këtë vazhdimësi me modul të ri dhe mbi ekuilibrat që skuadra duhet të ketë gjatë lojës. Lojtarët po kuptojnë më mirë çfarë dua unë. Ndonjëherë ndodhin të papritura si ajo e Jovic në Venezia. Të gjithë janë të rëndësishëm dhe unë iu besoj të gjithëve. Jovic është më mirë, ka bërë tri stërvitje me ne. Abraham është ndalur për shkak të një problemi fizik. Bondo dhe Sottil gjithashtu janë jashtë.
Po testoni titullarët për Kupën apo po menaxhoni grupin?
Nuk menaxhoj asgjë. Ne kemi përgjegjësinë për të punuar për një klub si Milani. Nuk mund të thuhet se nuk po luajmë për asgjë. Duhet të tregojmë cilësi për tifozët dhe të jemi ndryshe nga ajo që kemi qenë në kampionat. Nuk luajnë vetëm 11 vetë në një ndeshje. Çfarë bëjnë trajnerët e tjerë nuk më intereson. Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje.
A janë kthyer në formën e duhur Theo dhe Leao?
Cilësia e tyre njihet nga të gjithë, por nevojitet vazhdimësi. Janë dy lojtarë që kanë treguar vlerat e tyre, ndër më të mirët në botë në pozicionet e tyre. Ndonjëherë gjërat nuk ecin siç duhet, por ka rëndësi momenti. Tani janë mirë dhe të gatshëm. Po bazohem tek ata si te çdo lojtar tjetër.
Roli i Walker?
Mund të luajë si mbrojtës i brendshëm, ose më përpara në krah. Është një opsion shumë i mirë. E shoh në formë dhe gati.
Gimenez apo Jovic?
Të dy kanë cilësi shumë të mëdha. Mua më takon të vendos kush do të luajë, ose nëse do luajnë të dy. Varet nga momenti. Janë lojtarë të ndryshëm dhe kemi besim te cilësitë e tyre. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë brenda një momenti, ndaj ne shikojmë punën dhe përqendrohemi tek ndeshja e radhës.
Po Jimenez?
Ka cilësi. Duhet të përmirësojë përqendrimin dhe të rrisë vazhdimësinë. Është i ri dhe duhet të rritet. Është një lojtar i mirë dhe duhet të përmirësohet çdo ditë, duke u sjellë si profesionist i nivelit të lartë.
Cili është pozicioni i Loftus-Cheek?
Është një lojtar shumë i aftë. Për mua është një ‘box to box’, një numër 8. Mund të luajë më përpara, ose më pas. Është fizikisht dhe teknikisht i fortë. Tani është mirë, po bazohemi shumë tek ai në këtë fund sezoni.
Si garantohet soliditeti mbrojtës?
Sistemi i lojës nuk tregon gjithçka. Duhet të punohet në grup dhe të krijojmë vazhdimësi. Në fazën sulmuese kemi krijuar shumë, por ndonjëherë kemi çaluar në mbrojtje. Po punojmë edhe individualisht për t’i korrigjuar gabimet.
The post Conceiçao në “sparkatë”: Te Milani nuk racionalizojmë asgjë, japim gjithçka në çdo ndeshje appeared first on Telesport.
