Janë numëruar mbi 95 për qind e qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë. Deri në orën 10:00 numëruesit kanë numëruar 4949 kuti votimi nga 5225. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate, japin një tablo ku Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.
Kështu socialistët kanë deri tani 82 mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan. Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike është rritur në 52 mandate, pasi ia rimori një mandat partisë Mundësia të Agron Shehajt. Sa i përket partive të reja, PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, ndërsa koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” dhe Lëvizja Bashkë kanë nga 1 mandat. Deri tani PS prin me mbi 230 mijë vota.
