Në prag të mbylljes së votimit për gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një thirrje publike në mbështetje të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj këtë vit – Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”.
Në një postim në Facebook, Kurti shkruan: “Zjerm në Eurovision! Të dashur vëllezër e motra shqiptarë kudo që jeni, votoni për Shkodrën Elektronike! Vazhdo me shndrit, shndrit, shndrit”
Thirrja e Kurtit vjen në një moment vendimtar, kur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë vetëm pak minuta kohë për të votuar dhe ndihmuar Shqipërinë të kualifikohet për në finalen e madhe të së shtunës.
Shkodra Elektronike është vlerësuar për një performancë autentike dhe artistikisht të fuqishme në skenën e Eurovisionit, ndërsa mbështetja nga mbarë kombi shqiptar duket se po arrin kulmin. /Telegrafi/
