Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama u rikthye në sheshin “Skënderbej” një muaj pas hapjes së fushatës me një fitore historike në zgjedhje dhe me një falenderim për këdo që e votëbesoi sërish Partinë Socialiste.

“Na besuan më shumë se asnjëherë më parë për një sfidë më të madhe se asnjëherë më parë sepse në 4 vjet ne mbollëm ende më shumë besim te Shqipëria, ende më shumë shpresë prandaj mblodhëm ende më shumë besim e shpresë nga shqiptarët. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të falenderuar dhjetëra e dhjetëra burra, djem e gra që për 4 vite me radhë kishin përpjkeje, durim dhe disiplinë”, tha Edi Rama – kryeminsitër i Shqipërisë.

Me mandatin e katërt, Edi Rama premton shkrimin e historisë europiane për Shqipërinë.

 “Mandati që ne po mbyllim ishte më i forti qeverisës i një partie politike, ndërsa ky që sapo na kanë dhënë shqiptarët do të jetë politikisht sa ai i vitit 1992. Do të bëjmë të pamundurën që ta bëjmë edhe një mandat po aq historik duke mbyllur negociatat në 2027 dhe duke e vendosur karrigen e Shqipërisë në tryezën e BE në vitin 2030”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Shqiptarët sipas Ramës, treguan se duan ta shohin vendin në ngjitje dhe jo ta hedhin në humnerë, duke ju referuar këtu opozitës.

 “Shqipëria zgjodhi yjet. Mes ngjitjes në majë dhe rënies sy mbyllyur në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen”, tha ai.

Për partitë e reja opozitare që ja dolën të futen në Parlament, Edi Rama dha këtë mesazh:

“Përgëzoj udhëheqësit e partive të vogla opozitare që bënë betejat e tyre jo të lehta dhe i mbijetuan presionit mes forcave kryesore. Uroj të mos ecin në gjurmët e partisë së vjetër të rrënuar totalisht”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Pasi falenderoi edhe familjen e tij për mbështetjen e përditshme, Edi Rama i ftoi për të bërë mbylljen e fjalimit të fitores, së bashku me Noizyn, që shoqëroi të gjithë fushatën socialiste me këngën e tij të dedikuar.