Afrim Fidani zgjidhet kryetar i Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut

Këshilli Gjyqësor sot zgjodhi gjyqtarin e Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, si kryetar të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut. Fidani u zgjodh me 8 vota “për” dhe 5 vota “kundër”, duke e mposhtur kandidaten tjetër, ish-kryetaren Besa Ademi, e cila mori vetëm 2 vota “për” dhe 11 vota “kundër”, duke u përballur me kritika të shumta për qasjen e saj ndaj Këshillit Gjyqësor.

Anëtarët e Këshillit vlerësuan se Besa Ademi ka dështuar në kryerjen e detyrave të saj dhe se mospjesëmarrja e saj në seancat e Këshillit ka ndikuar negativisht në besimin e qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor. Fidani, megjithëse nga disa u cilësua si gjyqtar anonim dhe jo i spikatur, fitoi përkrahjen për shkak të planit të tij konkret të veprimit me afate të qarta për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor.

Komentet e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor:
Tanja Çaçarova Ilievska, anëtare e Komisionit për zgjedhje, tha se Ademi ka pasur qëndrim arrogant, ndërsa për Fidanin shtoi se nuk i njeh mirë gjendjet në sistemin gjyqësor. Ajo nuk votoi për asnjërin kandidat.
Vesna Dameva votoi për Fidanin sepse vlerësoi se ai kishte një program pune të mirë si kryetar i Gjykatës Supreme.
Antoaneta Dimovska e kritikoi Ademin për sjellje joprofesionale dhe për marrëdhënie të këqija ndërnjerëzore gjatë drejtimit të Gjykatës Supreme, ndërsa për Fidanin tha se është anonim dhe nuk ka qenë i dalluar në sistem.
Isamedin Limani nuk e mbështeti Ademin pasi, sipas tij, nuk është praktikë që një person të ketë dy mandate të njëpasnjëshme si kryetar i Gjykatës Supreme. Ai shtoi se Ademi ka shumë funksione të akumuluara dhe votën ia dha Fidanit, i cili ka një plan veprimi dhe është penalist.
Ivica Stefanovski votoi kundër të dyve, duke përmendur mungesën e rezultateve pozitive dhe mospërfshirjen e Ademit në përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Xheneta Bejtoviq gjithashtu votoi kundër të dy kandidatëve.
Miazim Mustafa e mbështeti Fidanin pas vlerësimeve pozitive që kishte dëgjuar për të dhe për mungesën e kritikave ndaj punës së tij. Nuk e mbështeti Ademin për shkak të sjelljes së saj ndaj Këshillit Gjyqësor.
Selim Ademi nuk votoi për Ademin duke thënë se tetë vite në krye të Gjykatës janë shumë. Për Fidanin tha se nuk ka pasur asnjë ankesë ndaj tij.
Pavlina Crvenkovska e mbështeti Fidanin duke e cilësuar si profesionist të shkëlqyer, pasi kishte punuar me të në Gjykatën e Apelit.
Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli, gjithashtu i dha mbështetje Fidanit.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kamovski, nuk e përkrahu asnjërin kandidat.

Profili i Afrim Fidanit:

Fidani është gjyqtar në Gjykatën Supreme që nga viti 2017. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1989. Nga viti 1990 deri më 1996 ka punuar në arsim në detyra administrative juridike. Nga viti 1996 deri në 2005 ka qenë inspektor republikan i punës në Inspektoratin Shtetëror të Punës. Më pas, nga 2005 deri më 2007, ka qenë sekretar i Komunës së Vrapçishtit, dhe nga 2007 deri më 2011 ka punuar si avokat në Gostivar. Në korrik të vitit 2011 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup në Departamentin Penal, ndërsa nga viti 2017 është gjyqtar i Gjykatës Supreme.

Kujtojmë se vitin e kaluar, Këshilli Gjyqësor kishte nisur procedurë për shkarkimin e Besa Ademit si kryetare e Gjykatës Supreme për shkak të mungesës së saj në seancat e Këshillit, por propozimi nuk mori mbështetjen e nevojshme gjatë votimit.