
Një foshnjë dy muajshe është dërguar pa shenja jete në spitalin e Strugës mëngjesin e sotëm. Lajmin e konfirmoi drejtori i spitalit, Vladimir Bunçeski, duke shtuar se ende nuk dihet shkaku i vdekjes.
Sipas MPB-së, foshnja është sjellë në spital nga prindërit, nga një fshat i Strugës, rreth orës 8:30.
“Ekipi mjekësor tentoi reanimimin, pas së çka pediatri konstatoi vdekjen. Me urdhër të prokurorit publik, mjeku ligjor kreu autopsinë mbi trupin dhe nuk u konstatuan shenja dhune. Zyrtarët policorë nga DPB-Strugë zhvilluan biseda me prindërit dhe më pas kryen inspektim në shtëpinë e tyre”, deklaroi Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB-Ohër.
