“Telenovela” ka përfunduar; Luis Henrique është lojtari më i ri i Interit. Klubi zikaltër dhe Olympique Marseille kanë gjetur marrëveshjen përfundimtare për transferimin e anësorit brazilian të lindur në vitin 2001, që do t’i kushtojë Interit 23 milionë euro + 2 milionë bonuse.
Henrique do të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2030 dhe pritet të jetë në dispozicion të Simone Inzaghit që për Botërorin e Klubeve. Ai mund të jetë gjithashtu në tribunë në “Allianz Arena” të Mynihut të shtunën, në finalen e Champions League, për t’i mbështetur shokët e rinj të skuadrës.
Profil dhe roli tek Interi – Henrique vjen pas një sezoni të shkëlqyer nën drejtimin e Roberto De Zerbit te Marseille. Ka luajtur 35 ndeshje mes Ligue 1 dhe Kupës së Francës, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 10 asiste. Pra, është një nga lojtarët më të përdorur në skuadër, pas Greenwood dhe Hojbjerg.
Tek Interi, ai do të luajë si anësor i djathtë ofensiv, duke ofruar një alternativë dinamike dhe teknike për Denzel Dumfries. Një tjetër goditje interesante e merkatos për zikaltrit, pas firmës me Luka Sučić.
The post “Telenovela” ka përfunduar; Luis Henrique është lojtari më i ri i Interit appeared first on Telesport.
