I takon sërish Interit detyra për ta rikthyer Italinë në fronin e Ligës së Kampionëve. Skuadra e fundit italiane që ka fituar “kupën me veshë të mëdhenj” ka qenë pikërisht ajo zikaltër më 22 maj 2010. Që nga ajo fitore, klubet italiane kanë arritur në tri finale të kompeticionit më elitar europian.
Për ta zbutur disi bilancin e ekipeve italiane në Champions janë dy sukseset në “Europa League” dhe “Conference League”. Kanë kaluar 15 vite e 9 ditë nga nata magjike e Interit në “Santiago Bernabeu”, ku mposhti Bayern Munich 2-0 dhe fitoi Champions-in e tretë në historinë e vet, të parin pas 45 vitesh. Sonte në “Allianz Arena” ndaj PSG-së, skuadra zikaltër do të përpiqet të thyejë agjërimin e saj, por më në përgjithësi atë italian në kupën më të lakmuar të Europës.
3 FINALET E HUMBURA NGA JUVE DHE INTERI
Nga Madridi në Mynih, skuadrat italiane kanë luajtur tri finale të Ligës së Kampionëve. Juventusi ka arritur dy herë në aktin final, duke i humbur të dyja kundër spanjollëve. Më 2015 në “Olympiastadion” të Berlinit u dorëzua përballë super Barcelonës së drejtuar pikërisht nga Luis Enrique, që kishte në dispozicion treshen magjike Messi-Suarez-Neymar.
Uruguajani dhe braziliani shënuan bashkë me Rakitic, ndërsa barazimi i përkohshëm i Morata nuk shërbeu për asgjë. Dy vite më pas, skuadra e drejtuar në atë kohë nga Massimiliano Allegri provoi sërish pa sukses në Cardiff. Bardhezinjtë, pavarësisht golit të Mandzukic, u mposhtën 4-1 nga Real Madridi, i udhëhequr nga dygolëshi i Cristiano Ronaldos, goli i Casemiros dhe i Asensios.
Përpjekja e tretë e dështuar ishte ajo e Interit më 2023 në Stamboll. Skuadra e Inzaghit luajti si e barabartë me Manchester City, por goli i Rodrit në minutën e 68-të i dënoi zikaltërit me humbje. Interi fitoi një tjetër mundësi këtë sezon, pas një ecurie të shkëlqyer, duke nisur nga vendi i katërt në fazën e ligës, eliminimin e Feyenoord në 1/8 finale dhe triumfet ndaj kampionëve të Gjermanisë (Bayern Munich) dhe të Spanjës (Barcelona) në çerekfinale e gjysmëfinale.
ITALIA, BUZËQESHJE NGA “EUROPA LEAGUE” DHE “CONFERENCE LEAGUE”
Jo vetëm dhimbje për skuadrat italiane në Europë gjatë 15 sezoneve të fundit, sepse në kompeticionet e tjera europiane kanë ardhur dy suksese. Në “Europa League”, Atalanta ngriti kupën në qiellin e Dublinit, sezonin e kaluar, duke dominuar ndaj Bayer Leverkusen, që sapo kishte fituar Bundesligën, me rezultatin 3-0. Në të njëjtin kompeticion, Juventusi, në sezonin 2013-2014 u ndal në gjysmëfinale ndaj Benfica, duke humbur mundësinë për ta luajtur finalen në shtëpi.
Në sezonin pasardhës, dy klube italiane arritën në gjysmëfinale të kompeticionit të dytë europian: Napoli u ndal nga Dnipro dhe Fiorentina nga Sevilla, që më pas fitoi trofeun në Varshavë. Në vitin 2020, pandemia e COVID-it solli një ndryshim formati në fazën finale, ku Interi eliminoi në ndeshje teke Getafen, Bayer Leverkusenin dhe Shakhtar Donetsk, përpara se të mposhtej në finale nga Sevilla 3-2.
Në sezonin 2020-2021, Roma arriti deri në gjysmëfinale, por nuk qëndroi asnjëherë në lojë kundër Manchester United, që e mbylli sfidën që në ndeshjen e parë me rezultatin 6-2. Italianët ishin sërish protagonistë të mëdhenj në sezonin 2022-2023. Në gjysmëfinale, Juventusi u dorëzua vetëm në shtesë ndaj Sevilla, ndërsa Roma siguroi finalen, pasi mbrojti në Leverkusen fitoren 1-0 të marrë në Romë. Në Budapest, zhgënjimi i madh për tifozët romanistë, pasi verdhekuqtë humbën “Europa League” vetëm pas penalltive ndaj skuadrës andaluze.
Një trofe ku skuadrat italiane janë duke u bërë protagoniste absolute është kompeticioni i tretë europian për nga rëndësia, “Conference League”. Në edicionin e parë të zhvilluar në sezonin 2022-2023, Roma e fitoi trofeun në finalen e Tiranës, 1-0 me gol të Zaniolos.
Një fitore e veçantë edhe për José Mourinhon, që përmbushi ëndrrën e të qenit trajneri i parë që ka fituar të tria kompeticionet e UEFA-s. Pas verdhekuqve, Fiorentina provoi tri herë ta fitonte trofeun, por mbeti me shije të hidhur në finalet 2023 kundër West Ham (1-2) dhe 2024 ndaj Olympiakos, që fitoi me një gol vendimtar në minutën e 116-të. Në këtë sezon, vjollcët u ndalën në gjysmëfinale, në fund të një beteje të luftuar me Betis.
SUPERKUPA MUNGON QË NGA VITI 2007
Superkupa Europiane mungon për skuadrat italiane që nga viti 2007, kur Milani mposhti Sevilla. Më 2010, Interi e humbi finalen ndaj Atletico Madridit, ndërsa Atalanta u mposht 2-0 në Varshavë nga Real Madridi, kampion Europe në fuqi, vitin e kaluar. Interi, në rast suksesi në finalen e Mynihut ndaj PSG-së, do të mund ta luajë Superkupën Europiane në Itali, në Udine, më 13 gusht, kundër Tottenham-it, fitues i “Europa League”.
The post Nga Interi tek Interi…; ja si Italia përpiqet prej vitit 2010 ta thyejë tabunë e Champions-it appeared first on Telesport.
