Futbolli është sporti më i ndjekur në botë, sonte të gjithë do të mbajnë frymën për të admiruar finale e Ligës së Kampionëve. Pritja e gjatë po shkon drejt fundit, prej orës 21:00, Interi dhe PSG do të përballen në aktin përfundimtar të fushatës europiane, me “kupën me veshë të mëdhenj” në lojë. Triumfi në “Allianz Arena” do të ishte i katërti në histori për zikaltërit, dy vite pas humbjes në Stamboll ndaj Manchester City, ndërsa i pari për parizienët.
Për këtë rast të veçantë ka folur dikush që, në mënyrë të pabesueshme, nuk ka arritur kurrë ta ngrejë këtë trofe; Gianluigi Buffon. Ish-portieri legjendar i Juventusit dhe i Italisë, në një intervistë për të përditshmen “AS”, aktualisht shef i delegacionit të kombëtares axurre, foli veçanërisht për njërin nga protagonistët e kësaj finaleje. Fjala është për Gianluigi Donnarumma, “gardiani” i PSG-së, të cilin Gigi e quajti “portieri më i mirë në botë aktualisht”.
Ai shtoi më tej edhe një mendim personal për Gigio, pasuesin e tij në portën e Italisë: “Shpresoj që të mund ta fitojë këtë trofe, ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm. Është, pa diskutim, portieri më i mirë në botë për momentin. Nëse PSG ka arritur deri në finale, një pjesë e madhe e meritës i takon atij. Sa gjasa ka Interi për të fituar? Gigio e meriton ta realizojë këtë ëndërr, po ashtu edhe tifozët e PSG-së. Por kujdes: Interi ka të paktën 50% shanse për ta fituar finalen e Mynihut. Zikaltrit kanë një tjetër portier, Sommer, i cili ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe ka qenë pikë kyçe në këtë rrugëtim europian”.
The post Buffon merr anë: Donnarumma është portieri më i mirë në botë, uroj ta fitojë Champions-in appeared first on Telesport.
