Profesor i Ndërmarrësisë dhe Biznesit Familjar Velant Ramadani thotë se për një biznes të suksesshëm dhe ekonomi të qëndrueshme është thelbësor bashkëpunimi i ngushtë mes biznesit, universiteteve dhe qeverisë. Ai në emisionin 21Prime tha se ky bashkëpunim duhet të jetë real dhe jo thjesht formal.

“Për të pasur biznes të suksesshëm është i domosdoshëm funksionimi, ne i themi të asaj bazike, tripol helix Biznes-Universitet-Qeveri. Pa një bashkëpunim të kësaj treshe nuk kemi as biznes të suksesshëm, që nënkupton ekonomi të qëndrueshme, se lidhja bisnes me universitete, e fuqishme dhe jo vetëm deklarative siç dimë ne t’i nënshkruajmë disa memorandume bashkëpunimi në letër dhe të përfundojë gjithçka në sirtarë. Bizneset bashkë me universitetet do krijojnë programe të nevojshme për tregun e punës, do krijojnë programe që përgatisin kuadër më së mirë që dinë t’i plotësojnë nevojat e kompanive dhe të japin përgjigje për kërkesat e tregut. Të dyja bashkë në bashkëpunim me Qeverinë të ndërtojnë politika zhvillimore” , tha Velant Ramadani, profesor.

Sipas Ramadanit, politikat për sipërmarrje në Ballkanin Perëndimor janë të ngjashme dhe shpesh kopjohen mes vendeve, por dallimi qëndron te fryma ndërmarrëse. Ai shton se kosovarët veçohen për shpirtin më të theksuar sipërmarrës.

“E para do veçoja se te afaristët kosovarë ballafaqimi me rrezikun është më i theksuar se te të gjithë tjerët. Shumë më lehtë marrin vendim për tu inkuadruar në biznes në krahasim me të tjerët. Pastaj ndoshta se dominon popullata e re, janë më inovativ. Shpesh në rangimet ndërkombëtare, sidomos në sektorin e IT ata rangohen shumë lartë”, shtoi Ramadani.

Edhe pse teknologjia po avancon, nuk duhet harruar se pas saj qëndron njeriu, shton ramadani Sipas tij kompanitë nuk duhet të ngurrojnë të investojnë në kuadro të mirë, sepse kapitali njerëzor është pasuria më e vlefshme e çdo biznesi.