Ka mësime dhe mësime, si ato të finales së Mynihut. Natyrisht që hyri në histori disfata e Interit ndaj PSG (5-0), si më e thella në finalet e Champions League, por ka edhe një tjetër anë medalja… Ajo që trajneri triumfues përçoi përmes ekraneve në gjithë botën. Luis Enrique e ka fytyrën e tendosur nga stresi, emocionet dhe ndoshta kilometrat që përshkon me biçikletë, por para mikrofonave shqipton fjalë që ta copëtojnë shpirtin.
Bluza e tij tregon qartë për kë do të flasë, kujt do t’ia kushtojë këtë natë të mbushur me yje, kujt do t’ia dërgojë mendimet më të larta e më të ndjera. Një mendim i vetëm, gjithmonë për Xana, të voglën e tij të dashur, që u nda nga jeta prej sëmundjes së rëndë në moshën 9-vjeçare, në vitin 2019.
Në ditët më të errëta i kishin dhënë njëri-tjetrit një premtim, duke u parë në sy, siç mund të bëjë vetëm një baba që nuk fle prej dhimbjes, dhe një vajzë kaq e sëmurë: se një ditë do ta ngulnin sërish në bar flamurin e Barcelonës, që e kishin ngulur në tokën e Berlinit më 2015, pas fitores së Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit. Në një mënyrë tjetër, në një plan shpirtëror të paprekshëm, premtimi është mbajtur.

Pjesa tjetër është një intervistë e shkurtër, e thatë dhe e fortë, me dinjitetin e gdhendur nga një Mikelanxhelo: “Xana është gjithmonë me mua, qoftë kur fitojmë apo kur humbasim, nuk ka rëndësi. Jam i lumtur që kam pasur fatin ta jetoj me të. Ajo ka ikur fizikisht, por shpirti i saj është gjithmonë me mua. Nuk kam nevojë të fitoj një ndeshje apo Champions-in për ta ndier praninë e saj. Unë e ndiej gjithsesi, nuk ndryshon asgjë në nivel ndjenjash”.
Ka nëna që qajnë nga të tilla histori, gazetarja shtatzënë që po e intervistonte nuk e mban dot veten dhe zëvendësohet me përzemërsi nga Cambiasso. Ka edhe burra të fortë e muskulozë që e kanë të vështirë të përmbajnë pjesën e butë (ndoshta më të bukurën) brenda tyre. Është një botë me sy të lagur, pa pasur nevojë për skena apo për dramatizime të sforcuara. Rrjedha e ndjenjave të pastra është thjesht e papërmbajtshme.
Trajneri e përmbyll, pa asnjë retorikë shtesë, duke iu rënë thjesht telave të jetës, me gjithë bukurinë më të bukur, siç mund të jetë një Champions, dhe me dhimbjen më të dhimbshme, siç është humbja e vajzës së vet nga një sëmundje e pamëshirshme: “Dua të mbaj mend gjithë të mirat që Xana solli në jetën time. Nuk është ky sukses që do të më bëjë ta ndiej më afër… Madje është e vërtetë që në humbje e ndiej më shumë. Po ju them se e ndiej gjithmonë, nuk ndryshon asgjë… Në jetë lindim dhe vdesim. Të tjerat shihen vetë…”
Në një natë kurorëzuese për futbollin europian, ku çdo top bëhet gënjeshtër e një beteje për jetë a vdekje, Luis Enrique i rikthen gjërat në vendin e tyre, duke ndihmuar njësoj ata që fitojnë dhe ata që humbasin, me një rrugëdalje shumë të thjeshtë: të mos e shndërrojmë kurrë futbollin në çështje jete a vdekjeje, sepse jeta dhe vdekja dinë të shfaqen vetë më së miri, në mënyrat më absurde dhe të pakuptueshme, pa pasur nevojë për kështjellat tona prej rëre…
Një fitore për Xana.., kështu titullohen mediat në gjithë botën. E vogël, kudo që je, shiko çfarë babai ke lënë këtu. Babai që çdo vajzë do të donte ta kishte, prindi si i cili të gjithë do të donim të ishin. Në një natë si kjo, ti je gjithmonë mendimi i tij i parë dhe i fundit. E vogël, përqafoje fort, sepse tani më shumë se ti, ai ka nevojë për këtë. Çdo ditë një përkëdhelje, që ta ndiejë fort dhe ëmbël.
Ne, duke e dëgjuar në momentin e fitores më të madhe të jetës, mund të themi vetëm një gjë: një pjesë e kësaj fitoreje qëndron pikërisht në fjalët e tij. Në kuptimin e tyre të thellë. Është një nga ato çaste kur ngrihet lart me gjithë fuqinë e shpirtit dhe gjithë brishtësinë njerëzore krijesa më e çuditshme e universit, njeriu, që është njëherësh i ulët dhe hyjnor. Dhe ai njeri është babai, që Luis Enrique, kampion i Europës, përfaqëson dhe fisnikëron me fjalë të paharrueshme.
The post Triumfi i Mynihut për Xana, zemra e babait Luis Enrique është më e madhe se çdo trofe appeared first on Telesport.
