Nën monton “Le të na mbajnë që të mos na qajnë” infermieret e spitalit klinik të Tetovës edhe sot vazhduan protestën. Ato kërkojnë të zgjidhet statusi i tyre dhe thonë se nëse çështja nuk zgjidhet do ta bojkotojnë punën. Shtojnë se do të dalin edhe para ministrisë  për të kërkuar zgjidhje.

 “Fjala e fundit për protestën e sotme është – Le të na mbajnë që mos na qajnë.”

“Përgjigje nuk kemi akoma, presim, prandaj përsëri sot kemi dalë në protesta. Presim ndonjë të re, por sa e shohim nuk ka asnjë gjë të re. Vendin e punës ne nuk e lëmë por në protesta do të dalim të paktën deri sa të kemi një përgjigje ta dimë se nga do të shkojmë. Besoj se do të ndërmarrim diçka. Më tej mendojmë të bojkotojmë dhe të kalojmë në ministri të shëndetësisë  deri sa të shohim ndonjë zgjidhje nga ana e drejtorit apo ministrit. A ka kërcënime? Besoj se po, dita e sotme e vërteton. Kush ju kërcënon? Po ajo dihet prej nga vjen”, tha njëra nga infermieret.  

Kryeinfermierja e cila flet në emër të drejtorit të spitalit Agim Berisha, pret që infermieret në mënyrë zyrtare t’i parashtrojnë kërkesat e tyre dhe të gjejnë një zgjidhje.

 “Shprehi keqardhje për situatën që ka ndodhë  ne ishim të gatshëm dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe pres edhe mirëkuptim nga ana e tyre. Siç thash edhe dje nuk është një gjë që varet nga ne. Kjo situatë nuk është vetëm në Tetovë por është në mbarë shtetin  dhe presim një zgjidhje të përhershme jo afatshkurtre. Le ta formojnë një grup punë le t’i parashtrojnë kërkesat edhe pse e dimë, por ndryshe kur është me shkrim dhe ta adresojnë te drejtoria dhe ministria dhe besoj se do të realizohet”, shtoi Dita Zaimi – Kryeinfermiere.

140 infermieret janë të angazhuara një kohë të gjatë në spitalin e Tetovës, por pa vendime pune. Ato kanë shërbyer edhe në kohën e pandemisë, ndërsa me kontratat që i kanë paguhen nga 18 mijë deri në 24 mijë denarë. Protesta pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.