Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si proces të qëllimshëm deshqiptarizimi të administratës publike, përcjell TV21. Në një komunikatë për media, FRASH shpreh shqetësim për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në punësimet shtetërore, duke akuzuar qeverinë se po ndjek agjendën e VMRO-së dhe po minon barazinë qytetare. Sipas tyre, të dhënat e fundit tregojnë për përjashtim të hapur të shqiptarëve nga institucionet, ndërsa rinisë shqiptare i bëhet thirrje të mos pranojë heshtjen si normalitet.

“Në një analizë të thjeshtë numerike, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të realizuara së fundmi në institucione, si: Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Regjistri Qendror, Dogana, Hidrocentalet në Strugë, Mavrovë–Rostushë dhe Spile Dibër, dhe së fundmi në REK Manastir, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar në këto institucione, përkundër 205 maqedonasve”, tha Viola Ramadani, FRASH.