Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, kanë biseduar të enjten në telefon, me qëllim që t’i tejkalojnë dallimet mbi çështjen e tarifave që kanë tronditur të gjithë ekonominë botërore, ka njoftuar Ambasada e Kinës në Washington.
Sipas zyrtarëve kinezë, bisedimet u zhvilluan me kërkesën e Trumpit porse nuk u dhanë detaje të tjera mbi telefonatën e liderëve.
E as Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur kërkesës për komente nga agjencia “Reuters”.
Telefona e shumëpritur ka ndodhur në kohën e tensioneve të larta tregtare ndërmjet dy superfuqive ekonomike.
Trumpi përmes një shkrimi në rrjetin social “Truth Social”, kishte thënë të mërkurën se është shumë e vështirë të arrihet marrëveshje tregtare me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
“Më pëlqen presidenti Xi i Kinës, gjithmonë më ka pëlqyer, dhe gjithmonë do të më pëlqejë. Por ai është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i zorshëm për të arritur një marrëveshje me të!!!”, kishte shkruar ai.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare që ishte arritur në muajin maj, SHBA-ja kishte ulur tarifat karshi Kinës në 30%, ndërsa tarifat hakmarrëse të Kinës ishin ulur njëkohësisht në 10%.
Që prej atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po e shkelin marrëveshjen e dakorduar.
