Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit, nëse kanë nevojë për ndihmë konsullore, të kontaktojnë menjëherë institucionet kompetente përmes numrave të telefonit të emergjencës (SOS).

Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të përmbahen nga udhëtimet në vendet e këtij rajoni, derisa të përmirësohet situata e sigurisë. Për ndihmë dhe asistencë, qytetarët mund të kontaktojnë në:

Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv
Tel: +972 54 500 8566 / +972 54 967 0546

E-mail: telaviv@mfa.gov.mk

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë
Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736

E-mail: globalsos@mfa.gov.mk

Në kuadër të Ministrisë është krijuar një shtab krize, i cili monitoron vazhdimisht situatën dhe është në dispozicion 24 orë në ditë për të gjitha nevojat që lidhen me ndihmën, mbështetjen dhe asistencën.

Deri më sot, gjithsej 22 persona kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga territori i Izraelit dhe për t’u kthyer në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë së Veriut, si dhe anëtarë të familjeve të tyre të ngushta. Po zhvillohen aktivitete për evakuimin e tyre të menjëhershëm dhe transferimin në një vend të sigurt, nga ku do të organizohet më tej kthimi i tyre në vend. Ministria e Punëve të Jashtme punon për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt./TV21