Mehdi Taremi nuk i është bashkuar dot Inter-it në Amerikë për Kupën e Botës për Klube, pasi sulmuesi iranian është bllokuar në Teheran, për shkak të ndalimit të fluturimeve si pasojë e situatës mes Iranit dhe Izraelit.
Në sezonin e tij të parë si zikaltër, Taremi shënoi në 9 gola në 43 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke mos dhënë rendimentin që pritej prej tij. Duke parë edhe situatën aktuale të lojtarit, drejtuesit e klubit zikaltër po mendojnë për largimin e sulmuesit iranian, por edhe në rast qëndrimi, do jetë sulmuesi i katërt.
Në këtë situatë, klubi zikaltër po mendon për të transferuar një sulmues të ri gjatë merkatos verore, për të qenë alternativa kryesore pas dyshes titullare Martinez-Thuram. “La Gazzetta dello Sport” raporton se Inter ka në listë dy emra, i pari, i cili është dëshira e madhe e drejtuesve zikaltër, është Rasmus Højlund, sulmuesi danez i Manchester United.
22-vjeçari ka qenë për një sezon pjesë e Serisë A me Atalantën, para se të transferohej në vitin 2023 te Manchester United për 45 milionë euro. Në dy sezonet e tij të para te “Djajtë”, Hojlund ka shënuar 23 gola, por nuk ka arritur dot të jetë një titullar fiks. Inter kërkon të përfitojë nga situata e tij aktuale te Manchester United dhe do provojë transferimin e tij. Propozimi i parë i zikaltërve do jetë huazim me të drejtë blerjeje, gjë që vështirë se do pranohet nga Man. United. Gjithsesi, mbetet për t’u parë si do shkojnë bisedimet mes dy klubeve.
Zgjedhja e dytë e Inter-it është një sulmues brenda Serie A, bëhet fjalë për francezin e Parmës, Ange-Yoan Bonny, i cili është vetëm 21 vjeç dhe konsiderohet si një lojtar me potencial për të ardhmen.
The post Taremi drejt largimit, Inter po mendon ta zëvendësojë me sulmuesin që luan në Premier League ose me francezin e Parmës appeared first on Telesport.
