Ndaj një 28-vjeçari nga Shkupi është iniciuar procedurë për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale lëndim trupor, që dënohet sipas nenit 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, përcjell TV21. Nga Prokuroria thonë se i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij 4 vjeçe. Nga Prokuroria thonë se duke pasur parasysh që sipas deklaratave gojore gjatë raportimit të ngjarjes, i dyshuari ka shfaqur sjellje agresive të vazhdueshme në familje, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rrezik për përsëritje të dhunës, gjë që mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin psiko-fizik dhe edukimin normal të fëmijëve. Po ashtu, nëse lihet të mbrohet në liri, ekziston rrezik arratisjeje, për të shmangur përgjegjësinë penale për veprën e kryer. Për këto arsye, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit te gjyqtari i procedurës paraprake ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka inicuar procedurën për shkak të dyshimit të bazuar se ai, në shtëpinë familjare në lagjen Draçevë, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, ka lënduar fizikisht vajzën e tij të mitur të lindur në vitin 2021. Ndërsa nëna e fëmijës ishte duke përgatitur ushqim, vajza po luante me dy motrat e saj. Në një moment, ajo u ngjit në krevatin e dhomës së ditës për të marrë lodrat, dhe për këtë arsye i dyshuari filloi ta ofendonte dhe ta godiste me shuplaka në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime trupore – mavijosje në kokë dhe gërvishtje në fytyrë. Ai gjithashtu vazhdoi me kërcënime verbale se do ta vriste”, thonë nga Prokuroria.
