38-vjetori i Lionel Messit kishte një shije të ëmbël dhe të hidhur. Inter Miami kaloi në 1/8 finale të Kupës së Botës për Klube, por e bëri si e dyta e Grupit A, pasi u përmbys në fund nga Palmeiras. Verdhëjeshilët, që arritën nga disavantazhi 0-2 në barazimin 2-2 për vetëm 7 minuta, kryesojnë grupin dhe sigurojnë, të paktën në letër, derbin brazilian kundër Botafogos. Leo Messi & CO, ndërkohë, do të përballen me ish-skuadrën e “Pleshtit”, PSG-në.

Ndeshja rezultoi e këndshme dhe emocionuese, me të besuarit e Mascheranos që e zhbllokuan rezultatin e bardhë duke u mbështetur te cilësitë individuale. Redondo pason për Luis Suarez, i cili me një spondë me gjoks aktivizon depërtimin e Allendes, i cili përballë Weverton, në minutën e 16-të, nuk gaboi.

Palmeiras përpiqet të reagojë me Estevao dhe Torres, por në pjesën e parë nuk gjen mënyrën për t’i thyer amerikanët, të cilët në mesin e pjesës së dytë dyfishojnë epërsinë. Protagonist ishte sërish “El Pistolero”, që driblon si birila dy kundërshtarë dhe godet portën braziliane me një të majtë të fuqishme brenda zonës.

Ndeshja dhe vendi i parë në xhep? As për ëndërr, sepse Abel Ferreira nxori nga stoli tre “asa”. Në minutën e 80-të, Allan dhuron asistin për Paulinhon për 2-1, ndërsa Mauricio në 87’ tronditi Ustari dhe i dha Palmeirasit kreun e grupit. Porto dhe Al Ahly jashtë, përpara shkojnë Inter Miami dhe verdhëjeshilët. Për Messin, 38-vjetori festohet përgjysmë.

NOTAT E INTER MIAMI – Klasi i Suarez (7.5) është gjithmonë i qartë. Për uruguajanin, një asist dhe një gol. Messi ndizet me shkëndija (6), paraqitje e vakët. Allende dhe Redondo (7 dhe 6.5) vlerësohen për golin, shpejtësinë dhe organizimin e lojës. Ustari i shpëtoi të tijtë në minutën e 94-t dhe meriton vlerësimin 6.5. Në formë të dobët u paraqit Busquets (5.5).

The post Suarez me gol dhe asist, Messi feston përgjysmë. Palmeiras rrëmben kreun me përmbysje (video) appeared first on Telesport.