Kryeministri kinez Li Qiang tha të mërkurën në Davosin veror 2025 ,se Kina po përpiqet të shndërrohet në një fuqi konsumi me përmasa super të mëdha, duke u mbështetur mbi themelet e forta të një fuqie prodhuese, dhe është e gatshme të bëjë gjithçka që duhet për të ndihmuar në trajtimin e vështirësive dhe sfidave me të cilat përballet ekonomia globale.
Duke vënë në dukje që bota po përjeton rënie të luhatshme të investimeve ndërkufitare dhe rreziqe në rritje të copëzimit të zinxhirëve të prodhimit dhe furnizimit, Li tha se qeveria kineze do të vazhdojë të nxisë një mjedis biznesi të nivelit të parë të drejtuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar, duke i mbajtur gjithmonë dyert hapur dhe duke mirëpritur ngrohtësisht bizneset nga e gjitha bota të investojnë dhe ta thellojnë praninë e tyre në Kinë.
Kina është e gatshme të ndajë teknologjitë e saj origjinale dhe përdorimet novative me botën, duke vazhduar të thellojë integrimin e lidhjen e saj me tregun botëror dhe duke forcuar bashkëpunimin industrial me vende të ndryshme, tha kryeministri kinez.
Li theksoi gjithashtu se Kina po shkon drejt bërjes një vend me të ardhura të larta në tërësi, teksa kërkesa për ngritjen e nivelit të konsumit në tregun e dytë më të madh të konsumit në botë është e fortë.
“Zhvillimi ekonomik i Kinës nuk ka të bëjë me hovet afatshkurtra, por me përparimin e qëndrueshëm drejt objektivave afatgjatë,” shtoi Li.
Li gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime konstruktive për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar.
“Veprimet konstruktive nënkuptojnë se ne duhet të marrim masa më praktike në mënyrë proaktive për të mbrojtur tregtinë e lirë e multilateralizmin dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë botërore,” tha Li.
