Për herë të parë në Tetovë po mbahet Kampionati Ballkanik në volejboll plazhi për lojtarë nën 22 vjeç. Ndeshjet zhvillohen në sheshin “Iliria” gjatë këtyre tre ditëve, ka nisur mbrëmë ndërsa përfundon më 27 qershor. Në shesh është vendosur një shtresë rëre dhe tribuna të përkohshme për ndjekjen e ndeshjeve. Duelet mes përfaqësueseve zhvillohen në dy termine: nga ora 9 deri në 11 paradite dhe nga ora 17 deri në 22 në mbrëmje. Të premten do të zhvillohen ndeshjet finale. Përveç përfaqësueses së Maqedonisë, marrin pjesë edhe volejbollistë dhe volejbolliste nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Rumania dhe Moldavia. Ministri i Sportit, Borko Ristovski, theksoi se ky aktivitet është një mesazh për bashkimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoni dhe për promovimin e sportit me vlera të vërteta.

“Më gëzon që Tetova është nikoqire e një ngjarjeje të këtillë, ngjarje që jep edhe porosinë e bashkimit për gjitha komunitetet që jetojnë këtu dhe më vjen mirë që tetovarët do jenë dëshmitarë të asaj që do ndodh ditëve në vijim. Me zemër të madhe dhe kënaqësi, Ministria e Sportit e përkrah këto lloj ngjarjeje që janë urë lidhjeje mes komuniteteve në vend”, tha Borko Ristovski, Ministër i Sportit.