Pemë të shkulura makina të dëmtuara në disa pjesë të qytetit si dhe rrugë të vërshuara nga uji. Këto janë pasojat e reshjeve të forta të shiut por edhe erës që mbrëmjen e sotme kaploi vendin.
“Për fat të mirë nga informatat që arritëm të sigurojmë nga zjarrfikësit, dëmet janë vetëm materiale dhe nuk ka të lënduar. Si pasojë e rrëzimit të një peme në anën e majtë të bulevardit Boris Kidriç, pa energji elektrike kanë mbetur disa objekte banimi dhe lokale, ndërsa ekipet e EVN-së bashkë me zjarrfikësit, kanë dalë në terren për të ndihmuar banorët në disa lagje të Tetovës”, njoftojnë autoritetet, transmeton TV21.
Pemë të shkulura ka edhe përgjatë autostradës Tetovë-Gostivar, por pa dëme të mëdha materiale.
Deri më tani nuk ka informatë për ndonjë rrugë të bllokuar nga pemët e rrëzuara, përveç në lagjen tek bulevardi “Boris Kidriç”, ku pema e rrezuar ka pamundësuar kalimit e makinave dhe ka shkëputur një pjesë të kabllove të energjisë elektrike. Ujëra më të mëdha nuk janë mbledhur as në nënkalimet në hyrje daljet e qytetit.
