Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR) publikoi Deklaratën e Politikave 2.0 mbi Zhvillimin e Aseteve Dixhitale, duke përforcuar angazhimin për të qenë një qendër globale për inovacionin në fushën e aseteve dixhitale, shkruan “Xinhua”.

Dokumenti përcakton një vizion për një ekosistem të besueshëm dhe inovativ që i jep përparësi menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së investitorëve, duke ofruar përfitime konkrete për ekonominë reale dhe tregjet financiare.

Dokumenti prezantoi kornizën “LEAP”, duke u përqendruar në katër fusha kryesore: përmirësim ligjor dhe rregullator; zgjerimin e gamës së produkteve të tokenizuara; avancimin e rasteve të përdorimit dhe bashkëpunimin ndërsektorial; si dhe zhvillimin e njerëzve dhe partneritetit.

Paul Chan, sekretari Financiar i qeverisë së HKSAR, tha se asetet dixhitale kanë potencial të madh zhvillimi me rëndësi për sektorin “fintech”.

“Hong Kongu do të përpiqet të ndërtojë një ekosistem më të lulëzuar të aseteve dixhitale, i cili do të integrojë ekonominë reale me jetën shoqërore përmes një regjimi rregullator të kujdesshëm dhe inkurajimit të inovacionit në treg, duke sjellë kështu përfitime si për ekonominë ashtu edhe për shoqërinë, si dhe duke konsoliduar pozicionin kryesor të Hong Kongut si një qendër financiare ndërkombëtare”,- tha Chan.