Nga VLEN sot deklaruan se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, kundër ish-udhëheqësisë së Entit Shtetëror për Statistikë, si dhe, siç thonë personave të tjerë përgjegjës në lidhje me regjistrimin e popullsisë. Nga VLEN thonë se presin që Prokuroria të hapë menjëherë lëndë, të sigurojë të gjitha provat materiale dhe të zhvillojë një hetim të plotë.
“Arsyeja për kallëzimin është dyshimi serioz për marrëveshje politike dhe, si pasojë e kësaj, falsifikim i rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021, me ç’rast dyshohet se është kryer vepra penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar (neni 353 i Kodit Penal). Pasojat e këtij akti janë të thella: numri i shqiptarëve të paraqitur në shumë fshatra, vendbanime dhe qytete është ulur në mënyrë drastike dhe të vetëdijshme. Me këtë, shqiptarët humbasin shumë të drejta personale dhe individuale (të garantuara me Kushtetutë), siç janë: punësimi, përfaqësimi politik dhe barazia gjuhësore. Po ashtu, edhe institucionet janë vënë në pozitë të marrin vendime për ndarjen e mjeteve dhe fondeve bazuar në të dhëna të gabuara dhe të zvogëluara, me ç’rast qytetarët në shumë komuna janë dëmtuar. Kërkojmë nga Prokuroria Publike të hetojë këto dyshime. Për më tepër, ditëve të fundit funksionarë të lartë të BDI-së kanë pranuar publikisht se “regjistrimi ishte në kuadër të marrëveshjes””, thonë nga VLEN.
