Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar ashpër ndaj komenteve të fundit të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, duke e cilësuar atë si të parëndësishëm dhe të pavlefshëm për debatin ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Fox News”, Rutte u pyet për deklaratat e Lavrovit i cili kishte sugjeruar se rritja e buxheteve të mbrojtjes në vendet anëtare të NATO-s mund të çojë në “kolapsin e Aleancës”. Komentet e Lavrovit ishin në përgjigje të një deklarate të ministrit të Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i cili kishte parashikuar kolapsin e regjimit të Vladimir Putinit si pasojë e garës aktuale të armatimit.

Rutte e cilësoi këtë si një përpjekje të dështuar për propagandë dhe tha se rritja e buxheteve të mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s është rezultat i drejtpërdrejtë i një suksesi diplomatik të administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump.

“Lavrov është ministër i Jashtëm i Rusisë, mendoj, që nga koha e Jezu Krishtit. Dhe që atëherë, nuk ka dalë asgjë e dobishme nga goja e tij. Prandaj, le të mos i kushtojmë shumë vëmendje zotit Lavrov,” deklaroi Rutte me ironi.

Deklarata e tij është interpretuar si një mesazh i qartë se NATO nuk do të bie pre e retorikës ruse dhe se qëndrueshmëria e Aleancës është më e fortë se kurrë.