Nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftojnë se trafiku nga Shkupi për në pikën kufitare në Bllacë dhe anasjelltas është duke u riorentuar nëpër zonat për rreth, ndërsa për automjetet e rënda ka ndalesë të qarkullimit për shkak të zjarrit të shkaktuar në afërsi të pikëkalimit, transmeton TV21.
“Për shkak të zjarrit që ka shpërthyer mbi rrugën magjistrale A4 Shkup – Bllacë, pranë tunelit, i cili është përhapur mbi rrugën magjistrale, trafiku është riorientuar për automjetet e pasagjerëve, ndërsa është i ndërprerë për automjetet e rënda transportuese. MPB ka vendosur regjim të veçantë të qarkullimit të automjeteve nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit.
Trafiku për automjetet e pasagjerëve është riorientuar drejt fshatit Bllacë e Epërme, përgjatë rrugës së vjetër drejt fshatit Banjan, Gluvo dhe Shkup.
Është vendosur regjim i veçantë i qarkullimit edhe në drejtim nga Shkupi drejt pikës kufitare Bllacë. Trafiku nga Shkupi drejt pikës kufitare është riorientuar nëpër rrugën rajonale R 22 39 përmes fshatit Brazhdë, fshatit Gluvo dhe Bllacë e Epërme”, bëjnë të ditur nga MPB.
