Forumi i 11-të “Nishan” për Qytetërimet Botërore filloi të mërkurën në qytetin Qufu të provincës Shandong të Kinës Lindore. Në këtë forum dyditor studiuesit nga mbarë bota do të diskutojnë lidhur me ndërveprimin ndërmjet larmisë kulturore e modernizimit.

Forumi i sivjetshëm, me temë “Bukuri në larmi: Ushqyerja e mirëkuptimit ndërmjet qytetërimeve për modernizimin global”, thekson vizionin e Kinës për të ruajtur larminë e qytetërimeve njerëzore duke nxitur zhvillimin paqësor global.

Forumi ka një sërë nëntemash, duke përfshirë origjinën dhe të ardhmen e qytetërimit, rëndësinë bashkëkohore të kulturës konfuciste, modernizimin global, zhvillimin familjar e shoqëror dhe rolin e inteligjencës artificiale në formësimin e së ardhmes së njerëzimit.

Mbi 500 të ftuar marrin pjesë në këtë veprimtari, prej të cilëve rreth 300 janë të huaj nga më shumë se 70 vende. Të pranishmit përfshijnë personalitete të huaja, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare, ambasadorë në Kinë dhe ekspertë të huaj.

Forumi “Nishan” emërtohet sipas malit Nishan, që ndodhet rreth 30 kilometra në juglindje të qytetit Qufu, vendlindja e filozofit dhe edukatorit të madh kinez Konfuci. Ky forum është bërë tashmë një platformë thelbësore për të kuptuar Kinën, për nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe për formimin e konsensusit mbi qytetërimin global.