Procesi gjyqësor për rastin “Onkologjia” po merr përmasa të reja pas reagimeve të ashpra të mbrojtjes për cilësinë dhe vlefshmërinë e ekspertizave mjekësore, sidomos atyre të marra nga Sllovenia. Prokurorja Gogovska Jakimovska sqaron se vërejtjet e mbrojtjes për ekspertizat janë të pabaza, ndërsa besimi në institucionet e huaja dhe ekspertizat e tyre është parim themelor në shkëmbimin ndërkombëtar të provave.

“Një nga parimet e të drejtës ndërkombëtare është të kemi besim në shtetet të cilave u kemi dërguar kërkesë për ndihmë, se provat janë siguruar në mënyrë të ligjshme. Prandaj, pretendimet e mbrojtjes janë të pabaza”, tha Ana Gogovska Jakimovska, Prokurore.

Avokatët e të akuzuarve paralajmërojnë një betejë të fortë ligjore – Tufegjiq thotë se mungojnë disa prova dhe se do të kërkojnë ekspertiza të pavarura për të kundërshtuar aktakuzën.

“Do ta diskreditojmë aktakuzën me gjetje dhe mendime të ekspertëve tanë. Prandaj kërkuam plotësimin e provave – mungojnë historitë për katër pacientë”, pohoi Vladimir Tufegjiq, avokat.

Mbrojtja gjithashtu thekson për keqpërdorime të mundshme në dokumentacion dhe pyet pse pikërisht këta mjekë gjenden në bankën e të akuzuarve, e jo edhe të tjerë.

“Ish-drejtori Nikola Vasev, jo vetëm që ka përdorur logot dhe vulat e mjekëve të tjerë, por edhe ka vendosur vula të veta në dokumente të mjekëve të tjerë. Nuk është e qartë pse nga e gjithë klinika janë zgjedhur vetëm tre mjekë kundër të cilëve është ngritur aktakuzë. Është e qartë se vulat dhe logot e tyre janë keqpërdorur”, u shpreh Jovica Strashevski, avokat.

Seanca e radhës u caktua për më 5 shtator, kur pritet të vazhdojë debati për aktakuzën që ngarkon katër mjekët për trajtim të pakujdesshëm të të sëmurëve.