A do të rishikohet sërish arka tashmë e rishikuar e shtetit?! A do të ketë më shumë para për përballjen me zjarret që kanë kapluar vendin?! Këto janë kërkesa të opozitares LSDM, pasi dje tërhoqi 142 nga gjithsej 160 amendamentet e rishikimit të buxhetit, për të dorëzuar dy amendamente të reja në komision.
“Edhe amendamenti i dytë që do të kërkojmë, është të sjellim, pra të pranohet, amendamenti me të cilin do të ndahen mjete financiare për forcimin e kapaciteteve për përballje me zjarret”, tha Oliver Spasovski,LSDM.
Amendamentet i tërhoqi edhe VLEN. Ndërkohë, debati në Komision për rishikimin e buxhetit vazhdoi sot me rreth tridhjetë amendamente të mbetura nga partitë politike BDI dhe Levica.
“Kërkohet të sigurohen mjete prej 4 milionë eurosh për përfundimin e stadiumit në Tetovë”, theksoi Dijana Toska, BDI.
“ Amendamenti nuk pranohet”, theksoi Nikolçe Jankulovski, zëvendësministër për Financa.
Përplasjet për paratë vazhduan nga foltoret partiake.
“Ndërkohë që shteti digjet, ndërkohë që zjarrfikësit me paga të mjerueshme luftojnë me flakët, ndërkohë që familjet në Koçan luten për ndihmë dhe presin që shteti t’i ndihmojë, Qeveria e Hristijan Mickoskit do të shpenzojë 1.8 milionë euro nga paratë e popullit për luks, për të bërë logo, broshura, toteme dhe katering për EXPO që do të ndodhë madje në vitin 2027”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM.
Menjëherë reagoi edhe VMRO-DPMNE.
“Me menaxhim të mirë të Buxhetit, ka edhe për EXPO, edhe për paga, edhe për të lënduarit në Koçan, edhe për modernizimin e pajisjeve për përballje me zjarret. Për LSDM-në është e çuditshme si është e mundur të ketë mjete edhe për EXPO, edhe për paga, edhe për të lënduarit në Koçan, edhe për modernizimin e pajisjeve për përballje me zjarret, sepse ata ishin mësuar me vjedhje dhe shpenzim të papërshtatshëm të parave nga Buxheti”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Të ardhurat totale me rishikimin janë projektuar në nivel prej 362.4 miliardë denarësh, ndërsa shpenzimet në shumën prej 403.7 miliardë denarësh, një për qind (rreth 3.5 miliardë denarë) më shumë në krahasim me projeksionet fillestare me planin për këtë vit. Projeksioni për BPV-në mbetet 3.7 për qind, ndërsa inflacioni është projektuar në nivel prej 2.8 për qind. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar si në shumë absolute, ashtu edhe si përqindje e BPV-së, përkatësisht 41.3 miliardë denarë ose 4 për qind e BPV-së. Shpenzimet kapitale, ndërkaq, në shumën prej 47.5 miliardë denarësh.
