Komisioni Evropian prezantoi sot udhëzime për mbrojtjen e të miturve në internet dhe një prototip të një aplikacioni për verifikimin e moshës, i cili duhet t’i parandalojë fëmijët të kenë akses në përmbajtje të dëmshme dhe të rrezikshme në internet.
Fillimisht, aplikacioni i verifikimit të moshës do të testohet në pesë vende: Danimarkë, Greqi, Spanjë, Francë dhe Itali. Këto vende do të punojnë së pari me Komisionin për një zgjidhje teknike për të krijuar aplikacione kombëtare të verifikimit të moshës. Prototipi mund të integrohet në një aplikacion kombëtar ose të funksionojë si një aplikacion i pavarur, tha Komisioni.
Qëllimi: aplikacione të personalizuara për secilin vend
Qëllimi është që çdo shtet anëtar i BE-së të zhvillojë aplikacionin e vet, duke pasur parasysh se vendet kanë rregulla të ndryshme për aksesin në përmbajtje të caktuar në internet. Kjo do t’u lejonte atyre të përshtatnin kufizimet e moshës për shërbime të ndryshme – nga faqet e pornografisë dhe të basteve deri te rrjetet sociale si Instagram ose TikTok.
Konfirmim që përdoruesi është mbi 18 vjeç
Aplikacioni do t’u lejojë përdoruesve të vërtetojnë lehtësisht se janë mbi 18 vjeç kur hyjnë në përmbajtje të kufizuar në internet, ndërkohë që u jep përdoruesve kontroll të plotë mbi informacione të tjera personale, siç është mosha dhe identiteti i tyre i saktë.
Pasi aplikacioni të jetë gati, përdoruesit do të jenë në gjendje ta shkarkojnë dhe ta përdorin atë për të kontrolluar nëse kanë të drejtë të hyjnë në faqe interneti dhe platforma të caktuara sipas moshës së tyre.
Udhëzime për siguri më të madhe në internet
Udhëzimet e paraqitura nga Komisioni përfshijnë gjithashtu rekomandime për adresimin e dhunës në internet, përmbajtjes së dëmshme dhe kontakteve të padëshiruara midis të rinjve dhe të huajve. Qëllimi është të zvogëlohen rreziqet me të cilat përballen të rinjtë në internet dhe të mbrohet privatësia e tyre.
Plani i verifikimit të moshës
Komisioni publikoi planet e tij për një zgjidhje për verifikimin e moshës më 14 korrik 2025. Kjo zgjidhje u lejon përdoruesve të vërtetojnë se janë mbi 18 vjeç pa ndarë ndonjë informacion tjetër personal. Përveç mbrojtjes së privatësisë, zgjidhja është miqësore për përdoruesit dhe plotësisht e pajtueshme me portofolet personale dixhitale të BE-së në të ardhmen.
Zgjidhja mund të përshtatet lehtësisht për të vërtetuar kufizime të tjera moshe, për shembull 13+. Plani i verifikimit të moshës do të vendosë një standard në aspektin e mbrojtjes së privatësisë dhe komoditetit të përdoruesit.
I quajtur edhe “mini portofol”, zgjidhja është ndërtuar mbi të njëjtat specifikime teknike si Portofolet Personale Dixhitale Evropiane që do të prezantohen deri në fund të vitit 2026. Kjo siguron përputhshmëri dhe lejon integrimin e funksionit të verifikimit të moshës në portofolet e ardhshme.
Kjo zgjidhje vjen në formën e një softueri që tani do të hyjë në një fazë testimi pilot me shtetet anëtare, platformat online, përdoruesit fundorë dhe palë të tjera të interesuara, siç janë ofruesit e zgjidhjeve softuerike, me qëllim që të fitojë pranimin e tregut.
Shtetet Anëtare që do ta testojnë aplikacionin do të jenë në gjendje ta përshtasin atë, për shembull duke e përkthyer në gjuhën/gjuhët e tyre kombëtare. Specifikimet teknike, kodi burimor dhe versioni beta i zgjidhjes janë publikuar tashmë. Plani i Verifikimit të Moshës është një zbatim i hapur i këtyre specifikimeve. Ai mund të përshtatet lehtësisht nga botuesit e aplikacionit, por pa mundësinë e ndryshimit të veçorive të mbrojtjes së privatësisë. Projektimi dhe zhvillimi i kësaj zgjidhjeje mbështetet nga një kontratë e dhënë T-Sky (Scytales dhe T-Systems).
The post Aplikacioni i ri do të bllokojë aksesin e fëmijëve në përmbajtje të dëmshme: BE teston verifikimin dixhital të moshës appeared first on Alsat.
