Studentët e vitit të dytë dhe më lart, si dhe ata që janë në fazën e diplomimit (absolventët), mund të aplikojnë në mënyrë elektronike nga sot për akomodim në konviktet studentore shtetërore dhe private për vitin akademik 2025/2026, përcjell TV21. Aplikimi do të zgjasë deri më 31 korrik, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh).

Aplikimet dorëzohen në mënyrë elektronike përmes faqes zyrtare: e-uslugi.mon.gov.mk, ku studentët duhet të ngarkojnë edhe dokumentet e nevojshme. Çdo kandidat mund të aplikojë vetëm për një konvikt studentor.

Sipas konkursit, në dispozicion janë gjithsej 4.264 vende të lira në konviktet studentore në Shkup, Manastir, Shtip, Tetovë, Ohër dhe Prilep. Prej tyre, 851 vende janë të destinuara për studentët e vitit të parë, ndërsa 3.413 për studentët e viteve të tjera.

Rezultatet përfundimtare për studentët e vitit të dytë dhe më lart do të publikohen më së voni deri më 6 shtator, ndërsa për studentët e vitit të parë deri më 30 shtator. Akomodimi fillon menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me konviktin, e jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së listës përfundimtare.