Javën që vjen Prokuroria Publike pritet të dorëzon akt-akuzën në gjykatë që i referohet sulmit ndaj ekipit të Televizionit Alsat më 9 korrik në deponinë për skrap në Vizbeg të Shkupit.

Organi i akuzës, duke vlerësuar veprimet e Aleksandar Nikollçev dhe Maja Karamanovas ka konstatuar tashmë se që të dy akuzohen për veprën penale “pengesa ndaj personit zyrtarë”.

Në dispozitivin e prokurorisë theksohen veprimet konkrete që ka ndërmarrë çifti që zotëron kompaninë “ASD METAL GROUP” ndaj gazetarit Avni Tahiri dhe operatorit Shenoll Hajredin.

“Kur ekipi ka vazhduar të bën punë  e tyre zyrtare, fillimisht gruaja e ka sulmuare fizikisht operatorin duke e goditur me këmbë dhe grusht, e ka kapur për fyti duke e rrëzuar në tokë dhe duke i dëmtuar kamerën. Gazetari ka tentuar ta mbrojë operatorin dhe aparaturën dhe ka filluar të filmon me celular. E akuzuara e ka goditur edhe atë me këmbë, ia ka hedhur celularin në tokë dhe më pas ia ka marrë. Në këtë moment ka arritur edhe i akuzuari tjetër i cili ka filluar me kërcënime për jetën dhe fyerje, gazetarin e ka goditur me shuplakë dhe e ka larguar nga vendi i ngjarjes”, thonë nga Prokuroria.

Vepra për të cilën akuzohen Nikollçev dhe bashkëshortja e tij parasheh dënime me burg nderi në 5 vjet. Dy të akuzuarit mësohet se do të mbeten nën masa kujdesi, madje nuk përjashtohet mundësia që ndaj Karamanovas të përshkallëzohet masa deri në vendimin e plotfuqishëm të gjyqit.

Jo zyrtarisht prokurorët e rastit janë duke shqyrtuar edhe rrethanat rënduese ndaj të akuzuarve si dëmi emocional dhe material ndaj ekipit dhe televizionit, pasiguria dhe ankthi ndaj familjarëve të ekipit dhe tentimi për të manipuluar dhe fshehur prova materiale. / Alsat.mk

The post Sulmi ndaj ekipit të ALSAT/ Javën e ardhshme pritet që Prokuroria ta dorëzojë aktakuzën në Gjykatë appeared first on Alsat.