Gazetare: Linda Ebibi

Pas tre muajsh nisë ndërtimi i Spitalit të Kërçovës dhe rikonstruimi i Spitalit Klinik të Tetovës.  Ky paralajmërim erdhi nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu pas vendimeve të sjella ditë më parë nga Qeveria, shkruan Alsat.

Për Spitalin e Kërçovës, i cili ka nisur të ndërtohet para 30 viteve, por që nuk u realizua dhe i njëjti do të ndërtohet nga e para, Aliu tha se janë ndarë 18 milionë euro, ndërsa për rikonstruimin e spitalit të Tetovës dhe ndërtimin e dy reparteve të reja tha se do të kushtojë 40 milonë euro.

“Procedura është si vijon: ne kemi kaluar këtë rritjen e buxhetit, tani presim nga institucionet financiare në botë që të aplikojë për këtë kërkesë që ne e bëjmë si shtet, kjo zgjatën dy javë, pas dy jave do të kemi nga të gjithë institucionet, ato mund të jenë banka komerciale mund të jenë fonde, pastaj do të shohim se kush është oferta më e përshtatshme për shtetin, do të lidhet kontrata dhe do të fillohet”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Për vendimet e punës së  punonjësve shëndetësor të cilët punojnë me vite të tëra pa vendim pune, Aliu tha se do të gjendet zgjidhje, por nuk përcaktoi edhe sa kohë të njëjtit do ta vazhdojnë të punojnë pa vendim pune.

“Procedurat ende janë në rrjedh, e dini se si janë procedurat administrative, një prej tyre që ka aplikuar ndërsa nuk është në listën e kandidatëve që do të fillojnë me punë, mund të paraqes ankesë, të cilat gjithashtu kanë procedura, ne duhet patjetër të presim ligjërisht që ato procedura të kryhen që procesi të përfundoj. Në disa prej institucioneve, njëra prej tyre “8 shtatori” dhe në Tetovë, është e vërtet se ka ankesa, dhe ato ankesa duhet të kalojnë nivelet administrative që të mund të nënshkruhet kontratë”, u shpreh Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë gjithashtu informoi se deri më tani kanë marrë 90 raportime nga qytetarët, më së shumti nga qyteti i Shkupit, të cilët kryesisht janë për vonesa të rezultateve, vonesa të vizitave  dhe angazhimi i mjekëve njëkohësisht edhe në sektorin publik edhe në atë privat. Ndërsa nga ana e drejtorëve të klinikave, tha se kanë marrë ankesa për infrastrukturën e klinikave, mungesën e aparaturave dhe mungesën e kuadrit mjekësor. / Alsat.mk

The post Pas vendimit të Qeverisë, ndërtimi i Spitalit të Kërçovës do të nisë për tre muaj appeared first on Alsat.