Mesfushori kroat Luka Modric, përforcimi më i ri i Milanit, është prezantuar zyrtarisht me fanellën kuqezi dhe ka dhënë intervistën e tij të parë për Milan TV. Legjenda e Real Madridit ka zbuluar emocionet, arsyet e transferimit dhe pritshmëritë për aventurën e tij të re në Serie A.

“Është një foto shumë e bukur,” tha Modric duke komentuar foton e tij të fëmijërisë me tuta të Milanit.

“Si fëmijë, ndiqja shpesh Serie A dhe Milani ishte skuadra ime e preferuar. Në atë kohë, në Kroaci shikonim shumë ndeshje të Milanit sepse ishte një nga klubet më të mëdha në botë. Idhulli im, Zvonimir Boban, luante atje. Tani jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi dhe mezi pres të filloj këtë aventurë të re.”

Modriç mbërriti në aeroportin Malpensa për të nisur zyrtarisht aventurën te Milani. Ai tregoi se kishte oferta të tjera, por e kishte të qartë se ku donte të shkonte:

“Doja të qëndroja në Evropë dhe të luaja futboll konkurrues. Kur Milani më kontaktoi, nuk pata asnjë dyshim. U impresionova nga fakti që drejtori sportiv Igli Tare erdhi vetë në Kroaci për të më paraqitur projektin e klubit. Kjo më tregoi se sa shumë më donin. Milani është një klub gjigant, që nuk kënaqet me mesataren. Duhet të synojmë titujt dhe të jemi konkurrues me më të mirët në botë. Kjo është arsyeja pse jam këtu.”

Çfarë sjell Modriç te Milani?

“Vij me shumë respekt për të gjithë: lojtarët, trajnerët dhe klubin. Dua të sjell urinë për fitore, të ndihmoj skuadrën në çdo mënyrë dhe të punoj fort për vendin tim në formacion. Nuk është kurrë e lehtë – duhet të luftosh çdo ditë.”

Përvojat dhe pritshmëritë për Serie A

“E kam ndjekur gjithmonë futbollin italian. Serie A është shumë konkurruese dhe është rritur shumë vitet e fundit. Ka lojtarë të shkëlqyer, ekipe të forta dhe është një ligë shumë taktike dhe fizike. Kam shumë miq kroatë që luajnë këtu dhe më pëlqen ta ndjek këtë kampionat.”

Sekreti i jetëgjatësisë në futboll

“Gjithmonë kam thënë se gjëja më e rëndësishme është dashuria për futbollin. E ndiej ende zjarrin brenda vetes. Kjo është ajo që më motivon. Puna e palodhur, përgatitja dhe një mënyrë jetese e shëndetshme janë të domosdoshme, por mbi të gjitha është pasioni ai që të mban gjallë në këtë sport.”

Për numrin 14 në fanellë

“Numri 10 është i zënë nga një lojtar i shkëlqyer si Rafael Leão, që është e tashmja dhe e ardhmja e Milanit. Zgjodha numrin 14 sepse më pëlqen. E kam mbajtur edhe në fillim të karrierës sime dhe te Tottenham. Shpresoj të më sjellë fat edhe këtu.”

Dëshirat e paplotësuara

“Kam arritur më shumë se sa kam ëndërruar ndonjëherë. Por nuk jam kurrë i kënaqur – dua gjithmonë më shumë, veçanërisht në aspektin profesional. Kur fiton, dëshiron ta bësh sërish. Ky është motivimi im.”

Për jetën jashtë fushës

“Kam një familje të mrekullueshme – një grua të dashur dhe tre fëmijë. Kjo është pasuria ime më e madhe. Me bashkëshorten time, përpiqemi t’u transmetojmë vlerat më të rëndësishme fëmijëve tanë: respektin dhe përulësinë, ashtu siç na i mësuan prindërit tanë.”

Mesazhi për tifozët kuqezi

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Milanit. Mezi pres t’ju shoh në San Siro. Shpresoj që t’ju dhurojmë shumë emocione dhe të festojmë fitore së bashku. Forza Milan!”

Në moshën 39-vjeçare, Luka Modriç nis një kapitull të ri në karrierën e tij brilante. Tashmë, ai është gati të shkruajë historinë edhe me fanellën kuqezi.