Nxënësit që do të diplomojnë në shkollën e mesme fetare islame – medreseja ‘Isa Beu’ në Shkup nga vjeshta do të jenë njëjti si gjithë gjimnazistët e vendit dhe me atë diplomë do të mund të regjistrohen në universitete.
Kjo pasi Qeveria miratoi propozim-ligjin për shkollat e mesme të bashkësive fetare. Pasi të miratohet në Kuvend, kjo medrese fiton status të qartë juridik.
Për ta shënuar këtë të arritur që medreseja ka 40 vjet që e pret, për vizitë atje ishin krerët e VLEN-it të cilët u takuan me drejtues të shkollës si dhe me kryetarin e BFI-së Shaqir Fetahu.
“Andaj ne këtë ditë dhe kalimin e këtij ligji në Qeverinë e RMV-së, e kemi definuar si një ngjarje historike për arsye se përpjekjet tona mbi 4 dekada vërtetë tashmë janë realizuar dhe tani medreseja dhe nxënësit e saj barazohen me të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në RMV”, tha Fetahu.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti tha se po eliminohet një diskriminim, pasi që nxënësit me diplomat e medresesë nuk kanë mundur të regjistrohen në fakultete.
“Jemi në bisedime edhe me kryetarin e Kuvendit z.Gashi që ta fut në prioritet që para pushimeve apo prej shtatorit medreseja të fillon në mënyrë zyrtare, legale që do të kontribuon edhe për rritjen e interesimit rritjen e numrit të nxënësve rritjen e kualitetit, sepse nuk do të humbim më energji rreth akreditimit, rreth provimit shtetëror, por energjia do të përqendrohet te kualiteti”, tha Mexhiti.
Por çfarë do të ndodhë me ata nxënës të cilët kanë diplomuar ndërsa diploma e tyre nuk pranohet nga Ministria e Arsimit?!
“Në qoftë se është problem diploma e shkollës së mesme edhe ata do të kenë të drejtë që në mënyrë retroaktive të mund ta zgjidhin problemin”, tha Zeqirija Ibrahimi, kryetar i Alternativës.
Përveç medresesë në mënyrë të barabartë do të trajtohet edhe shkolla e mesme e kishës ortodokse.
