Ndihmësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, është arrestuar të premten nga Policia në pikën kufitare në Bërnjak pasi gjatë ditës kishte mbajtur fjalim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hoçë të Madhe të Rahovecit, raporton Radiotelevizioni Publik (RTK) me konfirmim nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Popoviq kishte përdorur gjuhë kundër UÇK-së në fjalimin e mbajtur gjatë përvjetorit të viktimave serbe në komunën e Rahovecit, duke e cilësuar si organizatë terroriste dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë.

Gjithashtu, në këtë deklaratë ai ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.