Gazetar: Zekirija Haxhiu

“Fituat mejlin, ju lutemi lëreni mesazhin tuaj pas sinjalit”

Kështu tingëllon telefoni i kryetares së Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovskas, një ditë pasi Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kundër saj ngriti akuzë për dhënie të sekreteve zyrtare si dhe për falsifikim të certifikatës së sigurisë, pasi provimin për t’u pajisur me certifikatën në emër të saj e kishte dhënë një i punësuar në Entin e Revizionit. Duke tentuar për ta marrë në telefon për ta pyetur nëse pas këtij skandali do të jep dorëheqje si e para e Antikorrupsionit, Dimitrovska është e pakapshme. Por pavarësisht nëse Dimitrovska do të japë dorëheqje ose jo, Kuvendi ka mundësi që ta shkarkojë atë përmes komisionit për zgjedhje dhe emërime. Kryetari i këtij komisioni ishte i pakapshëm. Pyetëm partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvend por asnjëra prej tyre nuk ishte decide nëse do të kërkojnë shkarkimin e Dimitrovskës.

“Të shkojmë të hënën në punë të ulemi të shohim të bisedojmë si grup parlamentar. Nuk ka nevojë të komentohen faktet që janë konstatuar nga Prokuroria. Por qëndrimin tonë do ta tregojmë nga e hëna”, tha Nikolla Micevski – Koordinator i g.p VMRO-DPMNE.

“Është lajm i keq për të gjithë shoqërinë dhe shtetin kur pikërisht ato që duhet të mbrojnë ligjin e shkelin atë, dhe ata që duhet na mbrojnë nga korrupsioni, akuzohen për korrupsion. Bëjmë të pamundurën që kurrkush mos jetë mbi ligjin. Kuvendi republikan mbështet pavarësinë institucionale të Komisionit dhe riafirmon parimin e prezumimit të pafajësisë si shtyllë themelore të drejtësisë. Shkarkimi, pa një vendim gjykate, mund të kërkohet vetëm politikisht”, u shpreh Bekim Qoku – Koordinator i g.p VLEN.

Pa vendim janë edhe nga opozita. Nga LSDM thonë se do ta ndjekin situatën për atë se çfarë do të tregojë hetimi deri në fund.

“Më së miri është të shohim çfarë do të tregojë hetimi dhe akuza. Gjithsesi se çfarë do të tregojë epilogu gjyqësor. Ne me vëmendje po e ndjekim gjithë këtë që po ndodhë sa i përket temës që po e përmendni dhe në bazë të asaj edhe ne do të sjellim vendimet e mëtejme”, tha Bogdana Kuzeska – LSDM.

Kontaktuam edhe përfaqësues të Frontit Evropian por edhe nga atje nuk na konfirmuan nëse do të kërkojnë shkarkimin e Dimitrovskës, por që këtë çështje do ta diskutojnë javën që vjen. Dimitrovska edhe në muajin prill kur për herë të parë Prokuroria ngriti dyshimet për keqpërdorime zyrtare, pati thënë se nuk do të japë dorëheqje pasi thoshte se nuk ndjehet fajtore. Sipas Prokurorisë, Dimitrvoska i ka dhënë sekrete zyrtare ish drejtorit të TEC Negotinës Nebojsha Stojanoviq, i akuzuar në “Aditiv” rastin që ka të bëjë me manipulime të procedurave për tenderë dhe pastrim parash, ku buxheti është dëmtuar me 6,4 milionë euro./Alsat.mk

The post Tatjana Dimitrovska nuk tregon nëse do të japë dorëheqje pas akuzave për dhënie sekreti një të akuzuari në rastin “Aditiv” appeared first on Alsat.