Nuk ka më dilema apo kalkulime partiake. U publikuan kandidatët për kryetar të Shkupit nga VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, është kandidati i partisë në pushtet, ndërsa ish-ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova, është kandidatja e opozitës, LSDM.

“Shkupi është model i një qyteti ku të gjitha komunat duhet të zhvillohen në mënyrë të koordinuar dhe të barabartë, në bashkëpunim me qytetin. Shkupi meriton më shumë. Meriton të marrë frymë. Meriton të jetojë. Meriton të duhet. Do të punojmë së bashku, do të marrim vendime së bashku. Le ta rikthejmë shkëlqimin e Shkupit – për një Qendër më humane, Karposh, Kisella Vodë, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Shutkë, Butel, Saraj, Gazi Babë, Çair.”, tha Shukova.

Për VMRO-DPMNE-në, kandidatura e Shukovës është konfirmim i dështimit të LSDM-së. Ata kujtojnë se ajo ka qenë ministre e Mjedisit, por gjatë mandatit të saj nuk ka bërë asgjë. Prandaj, pyesin se si do të përmbushë premtimet si kryetare komune, kur si ministre nuk ka realizuar asgjë.

“Shukova nuk bëri asgjë për mjedisin, për ajrin më të pastër, për menaxhimin e mbeturinave, etj. Gjatë mandatit të saj si ministre nga shkurti i vitit 2023, ajo vetëm dilte në publik dhe si e incizuar, vetëm përsëriste se nevojitet shumë kohë për të zgjidhur çdo problem në mjedis. Nëse Shukova nuk bëri asgjë si ministre, shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjë si kryetare e Shkupit, veçanërisht për një Shkup pothuajse të shkatërruar nga Danella Arsovska, e cila me të drejtë mund të quhet vetëm ‘nëna e kaosit urban’”, tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE-ja.

Siç dihet, kryetarja aktuale Danella Arsovska nuk do të kandidojë sërish. Mbetet të shihet nëse do të ketë kandidatë të pavarur dhe nëse partitë e tjera do të dalin me kandidatët e tyre apo do t’i mbështesin partnerët e koalicionit.

Dhe, gjykuar nga konferencat për shtyp dhe informacionet që po ndahen me opinionin, fushata për garën për kryetar të Shkupit ka filluar. Gjorgjievski ndau informacion se dje ka pasur takim me kompanitë private të transportit urban dhe me taksistët. Ai i dëgjoi kërkesat e tyre dhe premton një transport publik modern në qytet.