Psikologu Klinik Visar Sadiku nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka dalë me një qëndrim për fillimin e shkollës që në moshën 5 vjeçe, njofton TV21.
Sadiku duke numëruar disa arsye se pse një fëmijë 5-vjeçar nuk duhet të regjistrohet në klasë të parë, vjen në përfundimin se ky sistem i arsimit është në kundërshtim me fazat e zhvillimit të fëmijës.
“Regjistrimi në klasë të parë në moshën 5-vjeçare nuk është një hap drejt përparimit, është një barrë e panevojshme mbi shpinën e një fëmije që sapo po mëson të kuptojë botën.
Nga ana psikologjike, një fëmijë 5-vjeç nuk ka zhvilluar ende mjaftueshëm:
-Aftësitë e përqendrimit për orë të gjata mësimi
-Kontrollin emocional për të përballuar kërkesat akademike
-Aftësitë sociale për të bashkëvepruar në një ambient shkollor të strukturuar.
Shkolla nuk është vetëm për të mësuar të lexosh e të shkruash. Ajo kërkon pjekuri emocionale dhe sociale,gjëra që nuk mësohen me nxitim.
Nxjerrja e fëmijës nga kopshti para kohe është një shkëputje nga loja, fantazia, dhe ritmi i butë që i ndihmon të rriten të sigurt dhe të shëndetshëm.
Le t’i respektojmë fazat e zhvillimit.
Le t’u japim fëmijëve fëmijërinë e tyre, duke mos nxituar!
Shkolla pret sipas moshes adekuate.
Femijeria e hershme nuk kthehet më!”, shkruan Sadiku.
