Të paktën 37 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një anije turistike u përmbys në Gjirin Ha Long të Vietnamit gjatë një stuhie të papritur.

Ngjarja ndodhi në një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit, në provincën veriore Quang Ninh. Sipas autoriteteve vietnameze, anija kishte në bord 53 persona.

Sipas Rojeve Kufitare dhe Marinës Vietnameze, anija u përball me mot ekstrem, përfshirë breshër të madh, shi të rrëmbyeshëm dhe stuhi, çka çoi në përmbysjen e saj. Një dëshmitar okular përshkroi skenën si “kaotike”, duke thënë se moti ndryshoi papritur dhe pasagjerët nuk kishin kohë të reagonin.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë 11 persona nga uji, por operacionet janë penguar nga kushtet e vështira atmosferike. Kërkimet do të vazhdojnë për të gjetur të mbijetuar të mundshëm dhe personat që rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe kanë paralajmëruar se çdo shkelje e protokolleve të sigurisë do të trajtohet me “rreptësi dhe pa tolerancë”.

Gjiri Ha Long është një nga mrekullitë natyrore të Azisë Juglindore dhe një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vizituar nga miliona turistë çdo vit.