Gazetar: Angel Dimov

Partitë politike nuk japin përgjigje të prerë nëse do të iniciojnë shkarkimin e kryetares së Komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, e cila akuzohet se i ka zbuluar sekrete zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotino-s, Nebojsha Stojanoviq, i akuzuar në rastin “Aditiv”, i cili ka të bëjë me manipulimin e procedurave të tenderimit dhe pastrimin e parave, ku buxheti është dëmtuar me 6.4 milionë euro. VMRO DPMNE-ja thotë se po shqyrtojnë disa opsione.

“Ka disa mundësi, të gjitha opsionet po shqyrtohen për momentin dhe ajo që është e rëndësishme të theksohet dhe që publiku ta dijë është se ligjet zbatohen për të gjithë dhe do të ketë llogaridhënie,” tha Mile Lefkov – deputet i VMRO – DPMNE.

As socialdemokratët nuk kanë qëndrim të prerë. LSDM-ja thotë se ndjekin nga afër zhvillimet dhe presin epilogun gjyqësor.

“Po e ndjekim me kujdes këtë rast, po e ndjekim me kujdes, po i ndjekim të gjitha detajet që lidhen me këtë rast dhe sipas asaj që do të ndodhë, si dhe vendimit të gjykatës dhe gjithë procesit, sigurisht që do ta ndërtojmë qëndrimin tonë për këtë çështje në përputhje me rrethanat,” deklaroi Bogdanka Kuzeska- zëdhënëse e LSDM-së .

Ish-kryetarja e komisionit të Antikorrupsion, Biljana Ivanovska tha për Alsat se vetë ndalesa që është në fuqi që Dimitrovksa të kryejë një pjesë të detyrave, përbën bazë të fortë që parlamenti ta shkarkojë nga funksioni i kryetares.

“Duke marrë parasysh që prokuroria ka lëshuar masë që e ndalon atë të kryejë detyrat e saj, mendoj se kjo është bazë e mjaftueshme që kuvendi ta shkarkojë atë, sepse ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit përmban dispozitë që përcakton se kuvendi mund të shkarkojë anëtar dhe kryetar të komisionit nëse nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në nenin 11, ndër të cilat është pikërisht ky nen, që të mos ketë ndalesë për kryerjen e ndonjë aktiviteti. Pra, ajo ka ndalesë dhe ka kushte për ta shkarkuar. Unë besoj se kuvendi ka mundësinë ligjore, por edhe më shumë, ka detyrim ta bëjë këtë, në mënyrë që të balancojë besueshmërinë e institucionit,” tha Biljana Ivanovska – ish kryetare e komisionit kundër korrupsionit.

Dimitrovska në muajin prill kur për herë të parë Prokuroria ngriti dyshimet për keqpërdorime zyrtare, pati thënë se nuk do të japë dorëheqje pasi thoshte se nuk ndjehet fajtore. Kryetarja e Antikorrupsionit përveç për dhënie të sekreteve zyrtare akuzohet edhe për pajisjen në mënyrë të paligjshme me certifikatën e sigurisë pasi provimin ne emër të saj e kishte plotësuar një i punësuar në Entin e Revizionit. /alsat.mk

The post AKUZA / Dimitrovska nuk e lëshon kolltukun, partitë ende pa vendim përshkarkimin appeared first on Alsat.