
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu përgënjeshtron BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, se Fondi Shëndetësor ka penguar punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës. Aliu tha se pjesa administrative e punësimeve tashmë ka përfunduar, dhe për dy deri në tre ditë do të nënshkruhen marrëveshjet për vendime pune të përhershme.
“E themi sot qartë 155 punonjës të spitalit Klinik të Tetovës do të marrin kontrata të përhershme, procedura është e përfunduar, i kemi vënë fund një agonie që ata e krijuan dhe ushqyen për vite më radhë. Ky problem zgjat me vite, zgjat me vite sepse BDI ishte me dekada në pushtet dhe kurrë nuk u mundua të zgjidh këtë problem, madje edhe kur Arben Taravari ishte një vit ministër nuk bëri asgjë, vetëm rrinte dhe shikonte si këta njerëz po poshtëroheshin me kontrata të përkohshme dhe jetonin në pasiguri”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë .
Kryeministri, Hristijan Mickoski tha se qeveria nuk i ndanë të punësuarit në bazë të komunave apo etnitetit.
“Asnjëherë si qeveri nuk i ndajmë nëse të punësuarit janë në Tetovë, në Strumicë, në Gostivar, apo në Gjevgjeli, ne jemi qeveri e të gjithë qytetarëve, të maqedonasve, të shqiptarët, të turqve, të serbëve, të vllehëve, boshnjakëve, të romëve,.. mendoj se për më shumë se një vit është bërë e qartë se kjo qeveri nuk i ndan as në bazë të qytetit, as të komunës, as në bazë të etnitetit”, tha Hristijan Mickoksi, kryeministër.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami iu përgjigj kritikave të BDI-së, duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak se ish ministri Arben Taravari ka qenë i zënë duke u marrë me çështje politike.
“E dimë se ka pasur ndërrim të ministrit dhe sigurisht tani ministri i ri do ta hec procedurën e re, dhe besoj që ajo çështje në kuadër të ministrisë do të zgjidhet dhe spitali i Tetovës do ti ketë punëtorët që i duhen për ti kryer shërbimet. Fatkeqësisht, ministri paraprak në vend që ti zgjidh këto probleme sepse është dashur shumë më herët të zgjidhen këto probleme s’është marrë me këtë çështje, është marrë me çështje tjera politike”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës .
Gjatë ditës, BDI publikoi një dokument se Fondi Shëndetësor ka penguar punësimin e 155 punonjësve në Spitalin e Tetovës. Për këtë reagoi edhe Alenaca e Taravarit, i cili për një vit ishte ministër i Shëndetësisë, dhe nuk realizoi 1200 punësimet e premtuara.
“Një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor. Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme”, thonë nga BDI.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu gjithashtu tha se ka ende punonjës në institucione shëndetësore pa vendime pune, për të cilët tha se do të gjejnë zgjidhje, por akuzoi BDI-në dhe Taravarin se ata duan të pengojnë realizimin e punësimeve./Alsat.mk
