Gazetare: Fatlume Dervishi
8 zjarre aktive dhe jashtë kontrollit digjen në të gjithë vendin kurse 6 të tjerë janë nën kontroll. Mali Goten mes Komunave Radovish, Berovë dhe Vasilevë vazhdon të digjet kurse në fshatin Jergulicë nuk përjashtohet mundësia që zjarri të marrë drejtim e shtëpive të banuara.
“Fshatrat që gjendet poshtë kodrës janë pjesërisht fshatra të sheshtë dhe mund të mbrohen. Bëhet fjalë për fshatra të gjallë dhe të banuar, me oborre të pastruara, kështu që rreziku të paktën tani për tani nuk është shumë i lartë nëse zjarri afrohet. Apeloj tek banorët që të pastrojnë rreth shtëpive të tyre, veçanërisht ata që kanë shtëpitë nga ana prej ku vjen zjarri. Le të gjejnë traktorë dhe le të lërojnë 5,6 ose 10 metra”, tha Stojançe Angellov, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Sipas shtabit të krizës, zjarre aktive ka edhe në Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Kriva Pallankë dhe Zhelinë.
Në Staro Nagariçan të Kumanovës poashtu në rrezik janë disa shtëpi të cilat kryesisht përdoren si pushimore fundjavash.
“Një pjesë e këtyre shtëpive janë të braktisura tërësisht, një pjesë janë të braktisura pjesërisht, pronarët i kanë shndërruar në shtëpi fundjavash. Për fat të keq, vegjetimi te këto shtëpi është shumë i madh, bari dhe ferrat në disa shtëpi arrijnë deri te pragu. Prandaj u bëj thirrje edhe pronarëve të shkojnë dhe të lërojnë oborret e tyre”, theksoi Stojançe Angellov, Drejtor I Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Angellov njofton se është aktivizuar mekanizmi i EU-së për mbrojtje civile që do të përdoret nëse paraqitet nevoja.
“Të shohim nëse ndonjë nga shtetet mundet të na ofrojë ndihmë. Për momentin kemi paralajmërime për ndihmë nëse ajo është e nevojshme. Para së gjithash kërkojmë ndihmë ajrore sepse forca intervenuese nga toka akoma kemi mjaftueshëm edhe pse forcat janë të rraskapitura sepse kjo vazhdon secilën ditë”, shtoi ai.
Një ushtarak i lënduar është shpëtuar nga forcat policore me helikopter, nga lufta e tij në vijën e zjarrit.
Angellov thotë se panika është e panevojshme por fton banorët në bashkëpunim. Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, të mos hidhen cigare ose materiale që ndizen në hapësira të hapura, të mos ndizen zgara në të hapur dhe të paraqitet çdo aktivitet i dyshimtë për zjarrvënie të qëllimshme./Alsat.mk
The post Tetë vatra zjarri jashtë kontrollit appeared first on Alsat.
