Qeverisja globale e AI-së është sfidë e kohës

Krijimi i një organizate bashkëpunimi global mbi inteligjencën artificiale- ishte propozimi që bëri kryeministri  Li Qiang  në ceremoninë e hapjes së Konferencës Botërore të AI-së 2025 dhe Takimit të Nivelit të Lartë mbi Qeverisjen Globale të AI -së të zhvilluar në Shangai, e cila u ndoq nga mbi 1 000 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues nga industria e AI-së dhe qarqet akademike e kërkimore nga brenda e jashtë Kinës.

Kina i kushton rëndësi të madhe qeverisjes globale të AI-së dhe promovon në mënyrë aktive bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh, duke qenë e gatshme t’i ofrojë  bashkësisë ndërkombëtare më shumë zgjidhje kineze e të kontribuojë më shumë mençuri kineze në qeverisjen e AI-së, theksoi Li.

Kryeministri kinez vuri në dukje më tej që inteligjenca artificiale duhet të bëhet një e mirë publike ndërkombëtare që i sjell dobi të gjithë njerëzimit. Për ta arritur këtë, ai paraqiti një propozim prej tre pikash: shtimin e përpjekjeve për të promovuar qasjen universale e gjithëpërfshirëse në AI, inovacionin bashkëpunues dhe qeverisjen e përbashkët

Li shtoi që po bëhet përparim i shpejtë në fusha të tilla si modelet e mëdha gjuhësore, modelet e mëdha multimodale dhe inteligjenca artificiale e mishëruar, duke e çuar zhvillimin e AI-së drejt një efikasiteti më të madh dhe inteligjence më të lartë.

Duke pranuar që AI-ja ka filluar të fuqizojë industri të ndryshme dhe të hyjë në familje, duke u shfaqur si një forcë e re nxitëse për rritjen ekonomike, Li tha se rreziqet dhe sfidat e paraqitura nga AI-ja kanë shkaktuar shqetësim të gjerë.

Ka një nevojë urgjente për të nxitur konsensus të mëtejshëm se si të arrihet një ekuilibër midis zhvillimit dhe sigurisë, vuri në dukje ai.

Pavarësisht se si transformohet teknologjia, ajo duhet të mbetet një mjet që duhet të shfrytëzohet e kontrollohet nga njerëzit, tha Li.