Opinionisti Qenan Aliu ka dorëzuar nismë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkon që të vlerësohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendimit të Qeverisë për caktimin e numrit të anëtarëve të këshillave në komunat e vendit.
Sipas Aliut, Qeveria nuk ka të drejtë të përcaktojë numrin e këshilltarëve vetëm në bazë të numrit të qytetarëve rezidentë, duke mos llogaritur atë jorezidente. Aliu thekson se është në rregull të racionalizohen funksionet në aparatin shtetëror, por Qeveria duhet ta bëjë këtë në Parlament, me ligje e jo vetëm me vendime për reduktimin e numrit të anëtarëve të këshillit.
“Sipas vlerësimit tim Qeveria nuk ka respektuar nenin 8 dhe nenin 51 të kushtetutës, në të cilët në mënyrë decide theksohet sundimi i së drejtës dhe vetëqeverisja lokale si parime fondamentale të rendit kushtetues të vendit. Sipas vlerësimit tim, gjykoj se Qeveria në preambulën e aktit të sjellë ka bërë një truk juridik dhe nuk është thirrur në ligjin material, e që është Ligji për organizimin territorial të vendit, por është thirrur vetëm në nenin 34 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale që nuk korrespondon me realitetin. Në ligjin për organizim territorial, në mënyrë decide thuhet se Qeveria përcakton numrin e anëtarëve të këshillave, ekskluzivisht sipas të dhënave zyrtare të statistikës. Duke pasur parasysh edhe aktvendimin e gjykatës kushtetuese, vlerësoj se ky akt i Qeverisë nuk është në përputhje me kushtetutën e vendit. Presim verdiktin e gjykatës për këtë punë”, tha Qenan Aliu, opinionist./ Alsat.mk
The post Qenan Aliu nismë në Kushtetuese kundër vendimit të Qeverisë për reduktimin e Këshilltarëve Komunal appeared first on Alsat.
