Britania do ta njohë Palestinën shtet në shtator, nëse Izraeli nuk merr hapa të rëndësishëm për ta ndalur gjendjen e rëndë në Gaza. Këtë e bëri të ditur kryeministri britanik Keir Starmer të martën, raporton Reuters. Ai tha se njohja do të ndodhë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas tij, Izraeli duhet t’i ndërpresë luftimet në Gaza, të arrijë një armëpushim, të sigurojë se nuk do të aneksojë territore në Bregun Perëndimor dhe të angazhohet në një proces serioz paqeje që çon në zgjidhjen me dy shtete. 

Ai kërkoi që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet, ta pranojë një armëpushim, të mos marrë pjesë në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatoset plotësisht. Deri tani, qeveritë britanike kanë thënë se do ta njohin Palestinën kur të vijë momenti i duhur, por nuk kishin vendosur ndonjë afat apo kushte të qarta. Kjo është hera e parë që Britania cakton një datë konkrete për njohjen e shtetit palestinez.