Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 të shkallës Rihter goditi në orët e para të mëngjesit zonën pranë brigjeve të Kamçatkës në Rusi, me epiqendër rreth 119 km në lindje të Petropavlovsk-Kamchatsky dhe në një thellësi prej 20.7 km. Lajmi u konfirmua nga USGS dhe autoritetet ruse.

Guvernatori rajonal, Vladimir Solodov, njoftoi për shumë të lënduar dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg bregut për shkak të rrezikut nga cunami. Paralajmërime janë lëshuar për Rusinë, Japoninë, Guamin, Hawaiin dhe Alaskën.

Valë cunami prej 3-4 metrash janë regjistruar në Yelizovsky, ndërsa në Severo-Kurilsk, ku vala e parë ka prekur bregun, është kryer evakuimi i popullatës. Raportohet për dëme materiale, ndërprerje energjie dhe komunikimi, por jo për viktima.

Ky është tërmeti më i fortë në rajon që nga viti 1952 dhe më i fuqishmi në 14 vitet e fundit, krahasuar me tërmetin shkatërrues të Japonisë më 2011, me magnitudë 9.1 Rihter.

Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunam dhe urdhra për evakuim.

Japonia evakuon 1.9 milionë banorë

Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milionë persona janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.

Megjithëse valët ishin më të vogla se parashikimet fillestare, ka pasur ndërprerje të trafikut në mbarë vendin.

Agjencia Japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave konfirmoi se rreth 2 milionë banorë në 21 prefektura ishin nën urdhër evakuimi.

Punonjësit në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës u evakuuan gjithashtu të mërkurën, raportoi AFP.

Aktivizohet sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami
Sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami është aktivizuar për të paralajmëruar për valë që mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së.

Parashikimet tregojnë se valë deri në 3 metra mund të godasin bregdetin e Rusisë dhe Ekuadorit, ndërsa valë nga 1 deri në 3 metra mund të prekin Japoninë, Havain, Kilin dhe Ishujt Solomon.

Evakuime në Havai

Në Havai, është urdhëruar evakuimi i disa zonave bregdetare.

“Largohuni menjëherë, priten cuname shkatërruese”, u tha në një deklaratë të Zyrës për Emergjenca në Honolulu.

Guvernatori i Havait, Josh Green, kërkoi qetësi dhe sjellje të përgjegjshme nga qytetarët.

“Ju lutem, qëndroni të qetë. Nëse jeni në zona të ulëta, shkoni menjëherë në vende më të larta”, tha ai. Ai shtoi se rrugët janë të mbushura dhe u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të shmangin panikun, raportoi BBC.

Filipinet, Meksika dhe Zelanda e Re thirrje për kujdes

Autoritetet filipineze këshilluan njerëzit të qëndrojnë larg plazheve dhe zonave bregdetare.

“Nuk mund të jenë valët më të mëdha, por ato mund të vazhdojnë për orë të tëra dhe të rrezikojnë njerëzit që notojnë në ujë”, tha për AP-në, Teresito Bacolcol nga Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë.

Marina e Meksikës paralajmëroi se valët e cunamit do të fillojnë të arrijnë bregun verior në Ensenada, pranë Kalifornisë, rreth orës 02:22 të mëngjesit të së mërkurës sipas orës lokale, dhe valët mund të përparojnë përgjatë bregut të Paqësorit deri në Chiapas, rreth orës 07:15 të mëngjesit.

Autoritetet në Zelandën e Re paralajmëruan për “rrjedha të forta dhe të pazakonta dhe valë të paparashikueshme” përgjatë të gjithë bregdetit të këtij shteti ishullor në Paqësorin Jugor. Agjencia e menaxhimit të emergjencave tha se njerëzit duhet të largohen nga uji, plazhet dhe zonat pranë porteve, marinave, lumenjve dhe deltave.

Tërmeti ishte më i forti që ka goditur këtë zonë në Gadishullin Kamçatka që nga viti 1952, sipas degës lokale të Sondazhit Gjeofizik të Akademisë Ruse të Shkencave.

Tërmeti me magnitudë 9.0 më 4 nëntor 1952 në Kamçatka shkaktoi dëme, por nuk pati viktima të raportuara, megjithëse shkaktoi valë prej 9.1 metrash në Havai.

Ata thanë se edhe pse situata “ishte nën kontroll”, ekzistonte rreziku i pasgoditjeve që mund të zgjasin deri në një muaj, dhe paralajmëruan që të mos vizitohen disa zona bregdetare.

Më herët në korrik, pesë tërmete të fuqishëm – më i madhi me magnitudë 7.4 – goditën në det pranë Kamçatka.

Tërmeti më i madh ishte në një thellësi prej 20 kilometrash dhe ndodhej 144 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk.