Gazetar: Mihajllo Donev
Një ditë pasi iu votua interpelanca në Kuvend, Prokurori Publik i Shtetit Lupço Kocevski, nuk zbuloi nëse do të japë dorëheqje ose do të vazhdojë punën. Nga Prokuroria nuk japin detaje, vetëm informojnë shkurt se nëse ndërtohet një qëndrim mbi këtë temë, publiku do të informohet. Ndërkohë, partia “E Majta”, e cila e ngriti interpelancën për Kocevskin në Kuvend, pret ose të vazhdojë procedura për shkarkimin e tij e iniciuar nga Qeveria ose të largohet vetë.
“Kuvendi në kombinim të opozitës dhe pozitës, pra koalicionit qeveritar, dërgoi një mesazh se prokurori publik ka humbur imunitetin politik, sepse është gjithashtu një funksion politik që ndonjëherë nuk perceptohet në këtë mënyrë dhe ne besojmë se për arsye morale, sociale dhe njerëzore prokurori publik duhet të japë dorëheqjen ose qeveria duhet të vazhdojë me shkarkimin e tij”, deklaroi Amar Mecinoviq- zëdhënës i së Majtës.
Qeveria nuk u përgjigj sot nëse do të riaktivizohej nisma për shkarkimin e Kocevskit, të cilën e filloi në shkurt. Ndërkohë partia në pushtet i bëri thirrje Kocevskit që të largohet menjëherë. Sipas VMRO-DPMNE-së, fakti që opozita dje nuk e votoi interpelancën është shenjë se Kocevski ende i mbron.
“LSD e sheh prokurorin e tyre Lupço Kocevski si bastionin e fundit. Atyre u bashkohet BDI-ja, të cilët së bashku me Kocevskin kërkojnë shpëtim për krimin e Filipçes, Zaevit dhe Aliut. Ky është në të vërtetë mesazhi nga LSD për Kocevskin, ose është me mburojën ose mbi të, i cili në periudhën e ardhshme do të duhet të ekzekutojë gjithnjë e më shumë drejtime. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Kocevskit të tregojë një gram virtyt dhe të mos presë asnjë orë, por të marrë menjëherë mesazhin e Kuvendit, dhe vullnetin e popullit përmes votimit në Kuvend, dhe të japë dorëheqjen”, tha Brane Petrushevski- deputet VMRO DPMNE.
Deputetët e LSDM-së dhe BDI-së u larguan dje nga salla dhe siç theksuan gjatë debatit parlamentar, nuk shohin asnjë arsye për të votuar për një interpelancë, që nuk ka pasoja ligjore nëse prokurori nuk tërhiqet vetë. Më 26 qershor, “E Majta ngriti interpelancë kundër Kocevskit në Kuvend, duke e akuzuar atë për hetim selektiv për Koçanin, si dhe për kolaps të punës së prokurorisë. Më herët në shkurt, Qeveria, e pakënaqur me punën e tij, filloi nismën për shkarkimin e Kocevskit, e cila u pezullua për shkak të tragjedisë në Koçan. Qeveria më pas njoftoi se procedura për largimin e tij do të vazhdojë pas përfundimit të hetimit për Koçanin, kështu që mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë ose përfundimisht Kocevski do të tërhiqet vetë. /Alsat.mk
The post Kocevski nuk tregon nëse do të japë dorëheqje pas interpelancës në Kuvend appeared first on Alsat.
